Lidhje

Rusi, lirohet Khodorkovsky


Manjati rus i naftës, Mikhail Khodorkovsky u lirua nga burgu, vetëm disa orë pasi Presidenti Vladimir Putin nënshkroi një dekret për faljen e tij. Menjëherë pas lirimit, ai u nis drejt Gjermanisë, ku e ëma e tij ndodhet për kurim.

Zoti Khodorkovsky kaloi më shumë se 10 vjet paraburgim nën akuzat për shmangie nga taksat dhe mashtrim financiar.

Arrestimi i Khodorkovskyt në vitin 2003 dhe ndjekja penale kundër tij janë parë gjerësisht si një ndëshkim i zotit Putin ndaj ambicieve të tij politike.

Zoti Putin tha sot në faqen e tij të internetit se ai po e falte ish-kreun e kompanisë të naftës Yukos për arsye humanitare.

Presidenti rus e njoftoi synimin e tij për të liruar zotin Khodorkovsky dje, në një konference të gjatë shtypi, ku foli për një gamë të gjerë temash.

Ai tha se për herë të parë zoti Khodorkovsky kishte kërkuar të falej për shkak se nëna e tij ishte e sëmurë.

Zoti Putin nuk e përmendi fare fatin e partnerit të zotit Khodorkovsky, Platon Lebedev, i cili u shpall fajtor dhe u dënua në të njëjtin proces gjyqësor.

Ky zhvillim, si dhe amnistia për dy vajza të burgosura të grupit punk Pussy Riot dhe për ekuipazhin prej 30 vetash të një anijeje të organizatës Greenpeace – synon me sa duket të zbutë kritikat ndërkombëtare ndaj gjendjes së të drejtave të njeriut në Rusi, në prag të Lojrave Olimpike Dimërore të Soçit.

Lojrat do të mbahen në muajin shkurt dhe shihen si një projekt i rëndësishëm i zotit Putin.

Zoti Khodorkovsky ishte njeriu më i pasur i Rusisë dhe ekzekutivi i kompanisë më të madhe ruse të naftës, kur u arrestua në pistën e një aeroporti siberian i akuzuar për evazion fiskal.

Kritikët i kanë quajtur akuzat kundër tij si hakmarrje e Kremlinit për sfidën që zoti Khodorkovsky i kishte bërë pushtetit të zotit Putin.

Gjatë mandatit të parë të zotit Putin si president, manjati i naftës e zemëroi Kremlinin duke financuar partitë e opozitës.

Veprimet e tij u bënë sfidë për një pakt të pashkruar në mes të zotit Putin dhe një rrethi të ngushtë manjatësh miliarderë, të quajtur "oligarkë". Ky pakt nënkuptonte se qeveria nuk do t'i rishikonte marrëveshjet e privatizimit që e kishin bërë këtë grup jashtëzakonisht të pasur.

Kompania Yukos e zotit Khodorkovsky u shemb përfundimisht nën peshën e një fature taksash të prapambetura prej 28 miliard dollarësh.

Pjesa më e madhe e kompanisë iu shit firmës shtetërore të naftës Rosneft, duke lejuar Kremlinin të merrte kontrollin mbi biznesin e naftës si dhe të mbyste një zë që po i prishte punë.

Pasuria e zotit Khodorkovsky aktualisht nuk dihet, por ajo duhet të jetë e papërfillshme krahasuar me atë që ai zotëronte fillimisht.
XS
SM
MD
LG