Lidhje

Ukrainë: Protestuesit largohen nga bashkia e Kievit


Protestuesit anti-qeveritarë në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, kanë boshatisur bashkinë e qytetit, duke pranuar ofertën e qeverisë për amnisti.

Pushtimi dy-mujor bashkisë mori fund sot, pasi qeveria bëri lëshime, duke liruar protestuesit e ndaluar.

Megjithatë, udhëheqësit e opozitës e kanë bërë të qartë, se demonstratat masive nëpër rrugë nuk do të marrin fund, deri në dorëheqjen e presidentit Victor Janukovich.

Ky lehtësim në dukje i tensioneve ndodh ndërsa autoritetet ukrainase i liruan 234 të burgosurit, të gjithë pjesëmarrës në protesta. Lirimi i tyre u bë në kuadrin e një ligji për amnistinë që u miratua muajin e kaluar.

Qeveria ka thënë se sapo opozita të lirojë ndërtesat qeveritare që ka marrë nën kontroll në kryeqytet, akuzat kriminale do të hiqen, një tjetër kusht ky i ligjit të amnistisë.

Një nga udhëheqësit e opozitës, Oleh Tyahnybok, paralajmëroi se në se qeveria nuk i heq akuzat, protestuesit do rimarrin kontrollin e ndërtesave qeveritare.
XS
SM
MD
LG