Lidhje

Shqipëri: Vritet një nxënës i shkollës së mesme


Në Shqipëri një nxënës i vitit të dytë të një shkolle profesionale në Durrës u vra sot me breshëri kallashnikovi gjatë orës së mësimit nga një tjetër gjimnazist. Ngjarja, motivet e së cilës ende janë të pasqaruara, solli reagime të menjëhershme të politikës. Ndërsa minisri i Brendshëm dhe ministrja e arsimit shkuan në shkollën ku ndodhi ngjarja e rëndë, kryeministri Edi Rama e cilësoi atë si një këmbanë alarmi për të gjithë shoqërinë. Por opozita nga ana e saj bëri përgjegjëse qeverinë e cila sipas saj ka dështuar në garantimin e rendit dhe sigurisë në vend.


Nxënësi 16 vjecar i vitit të dytë Adriatik Tota, ishte duke kryer orën e praktikës në oficinën e shkollës profesionale Beqir Cela në Shkozet të Durrësit, kur një tjetër gjimnazist ka hyrë dhe ka qëlluar drejt tij me një armë kallashnikov. Tota ka mbetur i vrarë në vend. Asnjë tjetër nuk është plagosur, ndërsa 15 vjecari Edrin Varaku, autor i vrasjes është larguar me shpejtësi. Në mbrëmje vonë, pas arrestimit të gjimnazistit i cili sipas policisë ka pranuar krimin, u njoftua se ngjarje dyshohet të jetë nxitur nga konflikte banale mes dy adoleshentëve. Megjithatë, ngjarja e rëndë ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë në shkollat e vendit.

Menjëherë pas njoftimit, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka shkuar në shkollën ku ndodhi krimi, e pas tij edhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolli. “Eshtë një ngjarje që mbase do të duhet të na bëjë të gjithëve të ulemi e të reflektojmë lidhur me sigurinë në institucionet arsimore. Kemi gjetur një situatë që nuk I përmbush të gjitha kushtet e sigurisë. Jemi në fazën që po marrim të gjithë hapat e duhur, lidhur me masat radikale që duhet të ndërmarrim për të garantuar siguri absolute për fëmijët në shkollë”, deklaroi ministri Tahiri.

Kryeministri Edi Rama përmes një deklarate është shprehur se “kjo ngjarje tragjike është një kambanë e fortë alarmi për të gjithë, qeverinë, trupat mësimore, prindërit, shoqërinë në tërësi” si dhe ka kërkuar të bëhet një hetim i plotë dhe të njihet me të gjitha faktet, në mënyrë që të merren të gjitha masat e nevojshme që ngjarje të tilla të mos përsëriten.

Reagimi ka qenë i menjëhershëm dhe nga opozita. Kryetari Lulzim Basha bëri përgjegjës direkt qeverinë për mungesën e Rendit dhe Sigurisë: “Sot është një ditë e tmerrshme për një familje durrsake. Por është një ditë e keqe mes shumë ditëve të këqia që po përjetojnë qytetarët e Shqipërisë, në dështimin total të kësaj qeverie për të luftuar krimin, në sinjalet tepër negative që militantizmi në krye të Policisë së Shtetit dhe keqpërdorimi i Policisë së Shtetit, jashtë mandatit të saj ligjor po i jep jo vetëm krimit ordiner por edhe krimit të organizuar”.
Ndërsa në komisionin e ligjeve deputetët e partisë demokratike u larguan nga mbledhja për t’u drejtuar për në shkollën ku ndodhi vrasja.
XS
SM
MD
LG