Lidhje

Kina, Bashkimi Evropian dhe shitja e armëve


Kina, Bashkimi Evropian dhe shitja e armëve
Kina, Bashkimi Evropian dhe shitja e armëve

Kina po merr përherë e më tepër përmasat e një superfuqie në saje të rritjes së saj ekonomike, por së fundi edhe në fushën ushtarake. Për shkak të fuqisë financiare, Evropa është e detyruar tani t’i kushtojë vëmendje vendit aziatik. Britania po shkon drejt përplasjes me Bashkimin Evropian lidhur me shitjen e armëve Kinës. Që nga shtypja e protestave në sheshin e Tiananmenit në vitin 1989, vendet anëtare të BE-së e kanë të ndaluar të shesin mallra që mund të përdoren nga ushtria kineze. Por Kina po i përdor tani muskujt e saj financiarë, në përpjekje për ta ndryshuar ligjin.

Avioni i ri i Kinës J-20, i pakapshëm nga radarët e ka kthyer vëmendjen në modernizimin e ushtrisë kineze.

Bashkimi Evropian e kishte ndaluar shitjen e armëve apo teknologjisë ushtarake ndaj Kinës pas shtypjes së disidentëve në Sheshin Tiananmen të Pekinit në vitin 1989.

Por Alexander Neill në Institutin e Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore, një organizatë që bën analiza për mbrojtjen, thotë se rritja e ndikimit financiar të Kinës në Evropë ka filluar të duket.

Vendet anëtare të BE-së sigurisht që ndjejnë presion nga Kina pas situatës ekonomike që duket se po përhapet në mbarë BE-në për momentin. Shumë udhëheqës, jam i sigurt që do të mendoheshin mirë nëse do të kërkonin nga kinezët investime të cilat janë me rëndësi për t’i shpëtuar vendet evropiane nga amullia ekonomike.

Pekini sapo ka nënshkruar një seri marrëveshjesh të mëdha me kompanitë evropiane, përfshirë një investim 5 miliardë dollarë me Volkswagen-in dhe Daimler-in në Gjermani.

Kina tha se nuk është e gatshme të blejë 7 presje 9 miliardë dollarë nga borxhi i qeverisë spanjolle, në një kohë kur shtohen shqetësimet rreth së ardhmes së euros.

Shumë drejtues të BE-së përfshirë shefen e politikës së jashtme Catherine Ashton ka lënë të kuptohet se është koha të rishikohet ndalimi i eksportit të armëve ndaj Kinës.

Britania megjithëse i mirëpret investimet kineze për vendin e vet – nuk pajtohet me ato vende të BE-së që kërkojnë të heqin embargon. Përsëri Alexander Neill.

"Pozicioni i Britanisë mbetet i njëjtë me atë të viteve më parë, pra se nuk ka ardhur koha për të hequr embargon."

Dokumentet e fshehta diplomatike amerikane të publikuara kohët e fundit tregojnë se edhe Uashgintoni e kundërshton heqjen e embargos – megjithëse presidenti kinez Hu Jintao kërkoi gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, të zbuste shqetësimet lidhur me investimet e Kinës në ushtri.

Ne nuk angazhohemi në garën e armatimeve dhe nuk paraqesim një kërcënim ushtarak ndaj ndonjë vendi. Kina nuk do të kërkojë asnjëherë hegjemoni as do të ndjekë politikë ekspansioniste.

Megjithëse shpenzimet ushtarake të Kinës ishin rreth 78 miliardë dollarë në vitin 2010, Alexander Neil thotë se forca ushtarake të Kinës është ende mbrapa.

Por ka gjëra shqetësuese ku Kina po përpiqet të arrijë Shtetet e Bashkuara veçanërisht në fushën e teknologjisë së lartë.

Avioni luftarak J-20 i Kinës është një shembull i këtij avancimi. Pekini po i bën trysni BE-së të lejojë eksportimin e teknologjisë ushtarake. Për shkak të fuqisë financiare të Kinës, Evropa është e detyruar tani t’i kushtojë vëmendje.

XS
SM
MD
LG