Lidhje

Kina bllokon faqen e New York Times


Qeveria kienze bllokoi sot faqen në internet të gazetës New York Times pasi ajo kishte publikuar një artikull të detajuar për pasurinë e grumbulluar nga familja e kryeministrit të vendit Wen Jiabao.

Raporti ishte kërcënues për imazhin publik të zotit Wen, i cili njihet si një udhëheqës reformist me një të kaluar modeste. Gazeta New York Times njofton se një shqyrtim i të dhënave të regjistruara tregon se të afërmit e kryeministrit kontrollojnë asete me vlerë të paktën 2.7 miliardë dollarë.

Vetëm pak orë mbas publikimit të këtij artikulli, versioni i gazetës në anglisht dhe në gjuhën kineze u bllokua në gjithë Kinën. Gjithashtu censuruesit fshinë nga rrjeti social Weibo, i ngjashëm me Twiterin në Kinë, referenca lidhur me kryeministrin dhe familjen e tij.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze e dënoi artikullin ditën e sotme, duke u thënë gazetarëve se ai kishte për qëllim “të njolloste Kinën”. Ndërsa zëdhënësja e New York Times-it tha se ajo ishte e zhgënjyer nga bllokimi i faqes së tyre në internet, dhe se gazeta New York Times nuk do të bëjë kompromis me standartet e gazetarisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG