Lidhje

Ngritja dhe rënia e Bo Xilait në Kinë


Bëmat e politikanit kinez Bo Xilai kanë ngjallur mjaft vemendje te opinioni ndërkombëtar dhe i kanë vënë në siklet autoritetet në Kinë, të cilat duan ta heqin qafe sa më shpejt këtë çështje. Ndërkohë që ish-ylli politik kinez pret të dalë përpara gjyqit për korrupsion dhe akuza të tjera, le të shohim se si ngjarjet e trazuara të Revolucionit Kulturor kinez luajtën rol si në ngritjen ashtu edhe në rënien e shpejtë të tij.

Kina ndodhej në darën e Revolucionit të dhunshëm Kulturor të Mao Cedunit kur Bo Xilai ishte adoleshent, një periudhë lufte politike që i vinte fëmijët kundër prindërve burrat kundër bashkëshorteve.

Bo dhe babai i tij, një nga veteranët e partisë komuniste, kaluan që të dy vite në burg. Nëna e tij vdiq nga shkaqe të panjohura.

Por këto nuk e venitën aspak respektin e zotit Bo për njeriun i cili u bë shkak për trazirat. Ja ç'thotë eksperti politik Zhang Ming (Xhang Ming).

"Ai ishte i ngjashëm me pinjollët e tjerë të zyrtarëve me influencë. Por të gjithë këta princër të kuq kishin një të metë: të gjithë ishin rritur bashkë me ujqit dhe e kishin përjetuar psikologjikisht këtë sens të luftës politike e të revolucionit. Edhe pse Mao Ceduni ua kishte shkatërruar familjet, ata ende e adhurojnë Maon".

Por po aq sa adhuronte Maon, po aq ishte Bo Xilai një adhurues i Perëndimit, thotë analisti.

"Maoja nuk kishte të bënte fare me Perëndimin, tek ai nuk gjeje asgjë nga Perëndimi, ndërsa vetë Bo Xilai e adhuronte kulturën perëndimore dhe në fakt arriti t'i kombinojë mjaft mirë këto dy elemente, Maon dhe stilin perëndimor."

Analistët e përshkruajnë zotin Bo si të pashëm, karizmatik dhe me forcë imagjinate, si dikë i cili po bëhej gjithnjë e më autoritar sa më shumë që karriera e tij lulëzonte.
Pavarësisht lidhjeve familjare dhe suksesit të karrierës, analisti politik Cheng Li (Çëng Li) thotë se pak prej homologëve të Bo-së në SHBA e pëlqenin atë kur ishte ministër i tregtisë.

"Atyre nuk u pëlqente shumë Bo Xilai. Ata pëlqenin udhëheqësit e tjerë si Wu Yi (U I) dhe natyrisht Wang Qishan (Uang Çi Shan). Zakonisht ata mendonin se Bo Xilai ishte shumë egoist, i vrazhdë dhe nacionalist."

Kur Bo u bë sekretar i partisë së megaqytetit jugor Chongqing (Çung Qing), emërimi i tij u pa si një ulje në pozitë. Por duke përdorur mësimet e Revolucionit Kulturor, ai filloi goditjen ndaj bandave dhe nxiste njerëzit të këndonin këngët revolucionare. Ja ç'thotë disident kinez Wei Jingsheng:

"Kur e kuptoi se e ardhmja e tij politike u përplas me një mur, ai nisi të kopjojë modelin e Maos, të përfitojë nga pakënaqësia e njerëzve të thjeshtë ndaj gjendjes. Unë nuk jam i sigurt nëse ai vërtetë e ndjente këtë, por të paktën ai e thoshte këtë me gojën e tij dhe me veprimet që ndërmori."

Rezultatet e punës së tij në Chongqing, megjithatë, kishin ngjashmëri me Revolucionin Kulturor të Maos.

"Një ndër synimet e tij të mëdha politike ishte të godiste mafien, por ne tani e dimë se ai dhe familja e tij, gruaja e tij u sollën si mafiozë ose si bosë të mafies dhe kjo është hipokrizi."

Zoti Li thotë se kjo ishte një taktikë e suksesshme për ta, të paktën derisa gruaja e tij doli se ishte vrasësja e një biznesmeni britanik. Në qoftë se kjo nuk do të kishte ndodhur, thonë analistët, ngritja e zotit Bo në karrierë mund të mos ishte ndalur kurrë.
XS
SM
MD
LG