Lidhje

Kina jugore, zona më e zhvilluar ekonomikisht në vend

  • William Ide

Kina ka nisur së fundmi shërbimin hekurudhor të trenave me shpejtësi të lartë. Kjo linjë zgjatet nga qendra nervalgjike politike e vendit në veri, drejt Guangzhout- një prej qendrave më të rëndësishme ekonomke në jug të Kinës. Si treni i shpejtësisë së lartë edhe qendra e zhvilluar ekonomike e Guangzhout, janë dy dritare për të parë sfidat e mëdha ekonomike me të cilat përballet udhëheqja e re e Kinës.

Treni i shpejtësisë së madhe në Kinë ecën me më shumë se 300 kilometra në orë. Në më pak se gjysëm dite, pasagjerët mund të shohin nga dritaret e tyre pamjen e gjerë e të larmishme të ekonomisë së dytë më të madhe në botë.
Përgjatë rrugëtimit, shfaqen shumë prej sfidave ekonomike me të cilat përballet Kina.
Xu Xianxiang është profesor i ekonomisë në universitetin Sun Yat-Sen të Guangzhout.

"Në Kinë ka shumë pabarazi: zonat e pasura janë të mira, por në zonat e varfëra njerëzit nuk mund të përballojnë as shkollimin dhe as mjekimin në spitale. Nëse shihni Pekinin, Shangain, Guangzhoun, ato janë qytete shumë të mira, por në zona që janë vetëm dy orë larg prej tyre puna ndryshon”.

Rritja ekonomike në Kinë filloi në jug të vendit më shumë se tre dekada më parë. Ky rajon dhe rritja e këtushme e prodhimit që bazohet tek zhvillimi industrial me krah të lirë pune, përbëjnë tani 50 deri 60 përqind të ekonomisë së vendit.
Por ndërsa ekonomia botërore ka mbetur në vend dhe kërkesa për mallra kineze jashtë vendit po bie, edhe ritmi i zhvillimit në jug po ngadalësohet.

"Zyrtarët qeveritarë në Guangdong dhe në zonat bregdetare janë shumë të shqetësuar dhe po përpiqen të gjejnë një mënyrë për të ndryshuar modelin e ekonomisë në jug. Një model i ri këtu mund të bëhet modeli ekonomik për Kinën në të ardhmen”.

Rritja ekonomike e Kinës pritet të jetë e qëndrueshme në shifrën e 7 pëqindshit, deri në fund të këtij dhjetëvjeçari dhe udhëheqësit e saj aktualisht janë të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballet vendi.

“Problemet sociale janë rritur ndjeshëm dhe problemet në sektorët e arsimit, punësimit, pensioneve, kujdesit shëndetësor, banimit, mjedisit, sigurisë ushqimore, sigurisë në vendin e punës dhe zbatimin e ligjit, janë probleme që ndikojnë në interesat jetike të njerëzve”.

Nuk është vetëm mundësia e madhe për punësim që e bëjnë të veçantë jugun dhe qytete si Guangozhou.
Regjisorja Ai Xiaoming ka vite që xhiron dokumentarë për problemet sociale kudo në Kinë.

“Mendoj se përparësia e Guangzhout është afërsia e tij me Hong Kongun dhe Makaon, niveli i lirisë në qarkullimin e informacionit është relativisht i lartë. Guangzhou është i i pari qytet që ka përqafuar reforma dhe politika të hapura, këtu njerëzit në përgjithësi e vlerësojnë jetën dhe janë më mendjehapur”.

Regjisorja thotë se për arsye se Guangzhou është larg Pekinit dhe politikave të tij të centralizuara, është më e lehtë që zyrtarët vendas të jenë më progresivë. Por një mjedis mendjehapur, nuk do të thotë se ndryshimi vjen lehtë.
XS
SM
MD
LG