Lidhje

Kina dhe situata e sigurisë në Azi


Kina ka refuzuar haptazi kritikat e SHBA-së për aktivitetin e saj në zënien e territoreve të reja në Detin e Kinës së Jugut. Kjo ishte tema kryesore gjatë një forumi rajonal të sigurisë të njohur si Dialogu Shangri-La, në Singapor.

Duke folur para delegatëve në forumin vjetor, admirali kinez Sun Jianguo, i quajti veprimet e vendit të tij për zënie territoresh të reja ishullore në Detin e Kinës së Jugut, si të “justifikuara, legjitime, dhe të arsyeshme”, dhe madje shtoi se Kina po ofron kështu edhe “një shërbim publik ndërkombëtar”.

“Nuk ka ndonjë ndryshim në pretendimet e Kinës për Detin e Kinës së Jugut. As nuk ka ndryshime në qëndrimin e Kinës për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve nëpërmjet negocimit dhe konsultimit,” tha ai.

Admiralit iu drejtuan shumë pyetje duke kërkuar qartësime nga këndvështrimi i një audience skeptike të përbërë prej zyrtarësh ushtarakë, diplomatë, studiues dhe gazetarë. Por, zyrtari i lartë ushtarak kinez i qëndroi besnik udhëzimeve të tij, pa dhënë ndonjë shpjegim të mëtejshëm.

Kjo i la pothuajse të gjithë pjesëmarrësit më të shqetësuar për synimet jo të qarta të Kinës, thotë Bonnie Glaser, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Të lexosh vetëm përgjigje të parapërgatitura mendoj se është një shpërfillje e hapur e shqetësimeve që u shprehën nga anëtarët e komunitetit ndërkombëtar. Mendoj se do ketë vërtet zhgënjim të madh.”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, tha gjatë fjalimit të tij një ditë më parë, se ndërtimi i ishujve nga Kina në ujëra ndërkombëtare “e largon Kinën prej rregullave ndërkombëtare dhe normat që përkufizojnë strukturën e sigurisë në Azi dhe Paqësor”.

“Për të qenë të qartë, pozicioni ynë është se të gjitha vendet që pretendojnë territore në Detin e Kinës së Jugut duhet të ndalojnë përpjekjet për zgjerim dhe militarizim, dhe të përpiqen për arritjen e një zgjidhjeje paqësore,” tha zoti Carter.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se anijet dhe avionët amerikanë që udhëtojnë në ujërat dhe hapësirën ajrore ndërkombëtare, nuk do t’u nënshtrohen kërkesave të Kinës për të qëndruar larg Detit të Kinës së Jugut.

XS
SM
MD
LG