Lidhje

Të drejtat e njeriut në Kinë


Bashkëshortja e laureatit kinez të çmimit Nobel, Liu Xiaobo po ngre zërin, duke u kërkuar autoriteteve të plotësojnë disa nevoja themelore të saj pas tre vjetësh në burg shtëpiak.

Kërkesat e zonjës Liu Xia u publikuan në internet të martën nga një mik i ngushtë i familjes. Liu Xia po kërkon që të lejohet të vizitohet tek mjeku vetë, të ketë më shumë komunikim të hapur me bashkëshortin e saj dhe të jetë në gjendje të punojë.

Hu Jia është aktivist në Pekin dhe mik i ngushtë me zonjën Liu Xia dhe bashkëshortin e saj. Gruaja e tij, Zeng Jinyan (Xëng Gjin-jen) ndihmoi në paraqitjen e kërkesave tek autoritetet kineze pasi udhëtoi për në Hong Kong.

Hu Jia thotë se Liu Xia kërkon që të jetë në gjendje të ketë të paktën një jetë normale dhe të mos shtypet si e burgosur. Ai thotë se është e qartë se Liu Xia nuk ka kryer asnjë krim dhe bashkëshorti dhe vëllai i saj janë burgosur me nga 11 vjet.

Bashkëshoriti i zonjës Liu Xia, Liu Xiaobo u dënua me 11 vjet burg në vitin 2009 nën akuzat për rebelim. Në vitin 2010, pothuajse menjëherë pasi bashkëshorti i saj mori çmimin Nobel të Paqes, ajo u vu nën arrest shtëpiak. Në fillim të vitit vëllai i zonjës Liu Xia u dënua me 11 vjet nën akuza që familja thotë se janë të motivuara politikisht.

Liu Xia lejohet të vizitojë ndonjëherë të shoqin, por ajo është e izoluar nga bota, nuk i lejohet të përdorë telefon, internet dhe postë. Rojet qëndrojnë jashtë apartamentit të saj gjatë gjithë kohës dhe kur individë të ndryshëm përpiqen ta takojnë ata shpesh arrestohen.

Në prag të vizitës së nënpresidentit amerikan Joe Biden këtë javë në Kinë, grupe të të drejtave të njeriut bënë thirrje për të ngritur në diskutim çështjen e zonjës Liu Xia dhe bashkëshortit të saj.

Maya Wang, është hulumtuese e organizatës Human Rights Watch në Hong Kong.

“Të drejtat e njeriut nuk janë diçka e izoluar për të cilat mund të flitet vetëm në bisedime vjetore mes qeverisë kineze dhe asaj amerikane. Ne mendojme se kjo çështje duhet të zgjidhet. Ajo ka nevojë të zgjidhet permes diskutimeve të niveleve të ndryshme mes dy vendeve.”

Mbështetës të këtyre të drejtave në Kinë thonë se gjatë vitit të kaluar qindra avokatë dhe aktivistë janë ndaluar nga autoritetet. Të hënën, dhjetra avokatë nga mbarë vendi publikuan një peticion në internet ku i bëhet thirrje qeverisë të zbatojë kushtetutën dhe të respektojë të drejtat bazë të qytetarëve kinezë.
XS
SM
MD
LG