Lidhje

Gjuha kineze në Francë


Jo shumë kohë më parë, turistët amerikanë dhe japonezë ishin dy grupet që shpenzonin më tepër në Francë. Kjo po ndryshon. Gjatë këtyre muajve të verës, industria e turizmit francez po kërkon të përmbushë kërkesat e një tjetër grupi klientësh me fuqi blerëse të madhe: turistët kinezë. Kjo është një nga arsyet kryesore për të cilën shumë francezë kanë vendosur të mësojnë gjuhën kineze.

Mësuesja Meifen Chen thotë se është e lehtë të mësosh mandarin, gjuhën zyrtare të Kinës. Ndoshta ajo ka të drejtë, por kjo nuk është përshtypja që krijohet kur viziton një orë mësimi të saj.

Një nga nxënëset e saj është gazetare. Një tjetër është thjesht kurioz për Kinën.
E treta, sipërmarrësja Julie Antonello, udhëton shpesh në Kinë. Ajo thotë se është duke studiuar gjuhën mandarin për t'u siguruar që arrin marrëveshje të mira pune.

"Përveç kësaj, unë thjesht dua të kuptoj kulturën. Unë shkoj atje vërtet shpesh. Dua të kuptoj më tepër, të ndihmoj veten, për të marrë një taksi apo kafe."

Por nuk janë vetëm francezët që shkojnë në Kinë për biznes. Edhe biznesi kinez po shkon në Francë. Tani, rreth gjysmë milioni kinezë vizitojnë Francën çdo vit. Operatorët turistikë parashikojnë se ky numër mund të arrijë në dy milionë ose më shumë brenda vitit 2020.

Me të ardhurat në rritje në Kinë, kinezë të klasës së mesme, si ky grup mësuesish, tani mund të përballojnë shpenzimet për të shkuar jashtë vendit. Mësuesi i anglishtes Chester po përjeton Parisin në një gjuhë që ai kupton.

"Ne shohim shenja të gjuhës kineze kudo. ...Në dyqane, në restorante."

Një arsye për këtë është fakti që turistët kinezë janë blerës të mëdhenj - edhe ata më buxhet të kufizuar, si studentja universitare Wang Yi.

"Po shkoj në Champs Elysee të shoh nëse ka ndonjë gjë që mund të më interesojë."

Kinezët janë blerësit e huaj më të mëdhenj në Francë dhe përbëjnë një të katërtën e të gjithë biznesit të pataksuar, sipas grupit pët tregtinë Global Blue. Dyqane si Galeria Lafayette punësojnë personel që flet gjuhën kineze.

Anne Kiefer është e specializuar në udhëtimet luksoze. Klientët e saj përfshijnë sipërmarrës të pasur kinezë dhe zyrtarë qeveritarë.

"Kur turistët kinezë vijnë në Paris, ata shpenzojnë më shumë se 60 për qind të buxhetit të tyre në dyqane. Pra, kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e udhëtimit të tyre."

Zonja Kiefer punon gjithashtu me hotele luksoze në Paris, duke ndihmuar personelin të kuptojë nevojat e klientelës së tyre kineze.

"Unë gjithashtu u mësoj punonjësve të hoteleve frymën, mentalitetin, kulturën; si sillen klientët kinezë si dhe çfarë ata presin prej personelit."

Edhe interesi për gjuhën kineze po rritet. Afro 30 mijë nxënës francezë tani studiojnë gjuhën mandarin në shkolla, duke e bërë atë më popullore se rusishtja dhe portugalishtja. Disa shkolla franceze të biznesit e kanë bërë gjuhën kineze të detyrueshme. Mësuesja private Meifen Chen thotë se grupi i saj i nxënësve është rritur në vitet e fundit.

"Interesimi është i madh. Sot, Kina është duke u bërë shumë e hapur. Është fuqia e dytë ekonomike. Në këtë kontekst, mësimi i gjuhës mandarin është me rëndësi të madhe, ...për botën e biznesit, për turizmin. Zotërimi i gjuhës kineze u jep mundësi perëndimorëve të lidhin më lehtë miqësi me kinezët."

Zonja Chen thotë se orët e saj të mësimit nuk janë të gjitha të vështira. Ajo thotë se të gjithë nxënësit e saj e pëlqejnë shumë gjuhën kineze.
XS
SM
MD
LG