Lidhje

Kina largon një korrespndente të huaj për herë të parë pas 14 vitesh

  • Stefani Ho

Kina dëboi nga vendi gazetaren e Al Jazeerës në gjuhën angleze Melissa Chan. Mendohet se arsyeja e largimit të saj është zemërimi që ka shkaktuar një dokumentar i transmetuar në muajin nëntor nga stacioni ku ajo punon. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës nga Pekini Stephanie Ho, ajo është gazetarja e huaj e parë që dëbohet nga Kina në 14 vjet.

Melissa Chan ka punuar si korrespondente nga Kina për rrjetin Al Jazeera në gjuhën angleze që nga viti 2007, duke raportuar për një seri ngjarjesh, që nga fatkeqësitë natyrore, trazirat etnike, burgimet e paligjshme dhe korrupsionin.

Por historia e cila mendohet që ka zemëruar qeverinë kineze është një material ku ajo nuk luajti asnjë rol: një film dokumentar i përqëndruar në punën e detyruar në burgjet e Kinës, në të cilin qeveria akuzohet se ka krijuar kushte skllavërie në to. Disa prej intervistave përfshijnë ish të burgosur në kampet e punës të njohura si “laogai”.

“Ne ishim të mbyllur në burgje. Nuk paguheshim fare. Nëse dikush kundërshtonte që të punonte, ata na rihnin”.

Dokumentari pohon se puna e papaguar në burg, nga të burgosurit që ishin dënuar pa gjyq, ka ndihmuar në bumin ekonomik të Kinës. Peter Ford, zëvendës presidnet i Klubit të Korrespondentëve të Huaj për Kinën, thotë se dokumentari është një prej arsyeve që Mellissa Chanit nuk iu rinovua viza për të qëndruar në Kinë.

“Është e papranueshme që qeveria përdor linjën editoriale si kriter për të garantuar rinovimin e vizave për gazetarët”.

Zoti Ford ishte mes gazetarëve që morën pjesë sot në një takim me gazetarët në Ministrinë e Jashtme dhe pyeti zëdhënësin që të qartësonte arsyet se pse Kina nuk i dha sërish vizë zonjës Chan. Zëdhënësi Hong Lei u bëri thirrje gazetarëve të huaj që punojnë në Kinë që të ndjekin ligjet dhe rregullat.

Ai tha se Kina ndjek rregullat dhe ligjet në bashkëpunimin me gazetarët e huaj. Ai shtoi se gazetarët janë të qartë se cilat rregulla u thyen, por nuk dha detaje të mëtejshme. Ai gjithashtu nuk dha përgjigje edhe kur u pyet sërish se ç’duhet të kuptojnë gazetarët e huaj me atë që qeveria e konsideron si “rregulla të përshtatshme”. Zoti Ford thotë se ai është i shqetësuar që Pekini aktualisht po fajëson zonjën Chan për thyerje të rregullave, pa dhënë një shpjegim se çfarë konkretisht ata kanë gjetur si shkelje.

“Derisa qeveria kineze të thotë konkretisht se cilat ligje dhe rregulla zonja Chan ka thyer, dhe t’i përdorë këto për të shpjeguar refuzimin e dhënies së vizës, ne na jepet përshtypja se ata e kanë përzënë atë për mënyrën se si ajo ka mbuluar ngjarjet në Kinë. Pra është e qartë frika jonë, se qeveria kineze po e përdor këtë rast që të frikësojë korrespondentët dhe t’i paralajmërojë ata se nëse mbulojnë çështje të tilla në një mënyrë që qeveria kineze nuk e pëlqen, atëherë qëndrimi i tyre rrezikohet pasi mund mos u jepet më vizë për të qëndruar në Kinë”.

Al Jazeera në anglisht publikoi një deklaratë ku shpreh zhgënjimin e saj. Në të thuehte se ajo po e mbyll zyrën e saj në Pekin sepse Kina nuk po rinovon akreditimin e zonjës Chan ose aplikimin për një zëvendësim të korrespondentes. Zyra arabe e rrjetit Al Jazeera në Pekin nuk është prekur. Ky është largimi i parë i një gazetari të huaj nga Kina që në vitin 1998, kur qeveria nuk rinovoi vizat për një gazetar japonez dhe një korrespodent gjerman.

XS
SM
MD
LG