Lidhje

Ligj i ri për mjedisin në Kinë


Pas gati dy vjet debatesh, parlamenti i Kinës miratoi një ligj të ri që analistët thonë se është një hap pozitiv në trajtimin e problemeve sistematike të vendit me mjedisin. Grupet e mjedisit thonë se edhe pse zbatimi mund të jetë i vështirë, ndryshimi u jep atyre një kornizë ligjore për të sfiduar ndotësit.

Ligji i ri i jep kompetenca më ndëshkuese autoriteteve mjedisore, lejon një gamë të gjerë veprimesh për organizatat mjedisore dhe përcakton gjeografikisht "vijat e kuqe" në zonat që kërkojnë mbrojtje të veçantë.

Kjo është hera e parë që ligji për mbrojtjen e mjedisit është rishikuar qysh nga viti 1989.

Deputetja Xin Chunying, tha në një konferencë shtypi të enjten se rishikimi i ligjit do të ketë një ndikim të rëndësishëm në të ardhmen e përpjekjeve për mbrojtjen e mjedisit në Kinë.

"Ndryshimi i ligjit të mjedisit është një goditje për realitetin e vështirë të ambjentit".

Kina ka vuajtur nga efektet e zhvillimit të saj të shpejtë, që ka nxjerrë qindra miliona njerëz nga varfëria, por që gjithashtu ka dëmtuar shumë mjedisin.

Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës kanë arritur nivele alarmante, duke u bërë një nga burimet kryesore të pakënaqësive për shumë kinezë.

Pavarësisht deklarimeve zyrtare për ta bërë përparësi mjedisin, për dekada të tëra qeveritë lokale janë vlerësuar vetëm në performancën e tyre ekonomike.

Analistët thonë se rishikimi i ligjit do të funksionojë si një mjet për të mbajtur qeveritë dhe kompanitë sipas standardeve më të mira.

Xu Nan është zëvendës redaktore e “China Dialogue” një website që monitoron çështjet e mjedisit në Kinë.

“Një ndryshim i dukshëm në këtë rishikim është se administrata e mjedisit ka një kuadër ligjor. Disa nga konceptet që përfshihen në ligjin e ri ishin disi në praktikë, por tani ne kemi një kuadër ligjor. Kjo do të thotë se në Kinë tani ka një sistem të fortë dhe më detyrues”.

Rishikimi ofron më shumë liri veprimi për departamentet mjedisore në ndëshkimin e ndotësve dhe u jep atyre autoritet ligjor për të marrë nën kontroll objektet dhe për të dhënë dënime të rrepta.

Amendamenti gjithashtu përfshin një kapitull mbi publikimin e informacionit, duke deklaruar se qytetarët kanë të drejtë të marrin informacion mbi mjedisin.
Parlamentit të Kinës iu desh gati dy vjet për të miratuar ligjin.

Deputetët refuzuan tri variante të mëparshme, shenjë e një beteje të ashpër të interesave prapa ligjit.

Aktet penale kundër ndotësve ishin një nga pikat më të kontestuara. Ndryshimi i ligjit ka zgjeruar sferën e atyre që kanë të drejtë të padisin për rastet mjedisore, dhe media kineze thotë se tani më shumë se 300 organizata mund të padisin në emër të atyre që dëmtohen nga ndotja.

Ndërsa në letër rishikimi u përgjigjet disa kërkesave që kanë qenë në rritje në mesin e shoqërisë civile të Kinës, analistët thonë se do t'i kushtojnë vëmendje mënyrës se si rregullat e reja do të zbatohen në praktikë.

“Zbatimi paraqet problem në të gjitha dispozitat. Do të ketë pengesa teknike, problem në matjen e regullave të reja në situatën ekzistuese, si dhe vështirësi kur ndryshimet e ligjit të ndryshojnë fuqinë e grupeve të interesit.”

Por kjo, thotë Xu Nan, është e vërtetë për çdo ligj të ri në Kinë dhe korniza ligjore është në vetvete një hap inkurajues.
XS
SM
MD
LG