Lidhje

Kina shqyrton mundësi për të investuar në Shtetet e Bashkuara


Kina shqyrton mundësi për të investuar në Shtetet e Bashkuara
Kina shqyrton mundësi për të investuar në Shtetet e Bashkuara

Kompanitë kineze po bëjnë investime në gjithë botën, dhe Shtetet e Bashkuara janë veçanërisht një destinacion tërheqës. Ndërsa Partia Komunite në pushtet feston sot 90 vjetorin e krijimit të saj, është e qartë se Kina moderne ka një ndikim ekonomik në botë, të cilin udhëheqësit e saj të parë ndoshta nuk e kishin parashikuar.

Los Angeles, qyteti i dytë më i madh në Shtetet e Bashkuara dhe qendra e Hollivudit. Madje për investitorët nga Kina, ky qytet ofron cilësi të tjera tërheqëse.

“Numër një është pika hyrëse në Perëndim dhe numër dy është fakti se Kaliformia jugore ka një popullsi të madhe kineze”.

Daniel Tang, menaxher i hotelit Marriott, njëri prej dy hoteleve në Los Angeles, pronë e kompanisë Shenzhen New World, thotë se kjo kompani kineze ka në plan të blejë prona të tjera.

“Aktualisht po shqyrtojmë mundësi investuese në qytete të mëdha, si kryeqyteti Uashington, New Yorku dhe San Francisco”.

Kompanitë amerikane hyjnë gjithashtu në partneritet me firma kineze. Balwinder Samra është president i korporatës Balqon, prodhues i sistemeve të komunikacionit për autobuzët dhe kamionët elektrikë. Ai punon me një afarist kinez, kompania e të cilit prodhon bateri me lithium.

“Njohuritë që ai sjell në kompaninë tonë, lidhur me teknologjinë e baterive dhe të karikimit si dhe përvojën dhe emrin që ajo ka në Kinë, janë shumë të vlefshme”.
Një raport i Shoqërisë Aziatike vë në dukje se gjatë viteve të fundit kompanitë kineze kanë investuar mbi 11 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara:

“Ne kemi nevojë për këto investime sepse jemi në vështirësi financiare dhe tregu i kapitalit nuk është më ai që ishte më parë. Investimet e reja do të vijnë nga Kina”.

Por ekspertët e Kinës thonë se disa prej këtyre investimeve mund të përbëjnë rrezik për sigurinë, mes tyre edhe Clayton Dube në Institutin SHBA-Kinë në Universitetin e Kalifornisë Jugore.

“Të gjithë e dinë se qeveria kineze ka një operacion të gjerë spiunazhi në Shtetet e Bashkuara dhe përpiqet të sigurojë teknologji dhe informacion të rëndësishëm”.

Analisti i Kinës Gordon Chang paralajmëron se duhet pasur kujdes.

“Ne duhet të na shqetësojnë motivet politike të Kinës, motivet e saj të sigurimit kombëtar për këto lloj blerjesh”.

Komisioni për Investimet e Huaja në Shtetet e Bashuara analizon rreziqet ndaj sigurimit kombëtar para se të lejojë investime të huaja në kompani amerikane. Shu Luo Mei, punonjës në konsullatën kineze në Los Angeles, thotë se mjaft investitorë kinezë mendojnë se ky komision është shumë i rreptë.

“Disa prej kompanive të mëdha kineze që duan të investojnë në Shtetet e Bashkuara kanë ende frikë se kërkesa e tyre do të mohohet”.

Por profersori i ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë, Peter Navarro thotë se komisioni nuk është i rreptë sa duhet.

“Komisioni nuk bën një punë të mirë në dallimin e kërcënimeve që vijnë nga teknologjitë me përdorim të dyfishtë. Për shembull, një kompani me teknologji civile mund të blehet nga një firmë kineze, e cila e përdor këtë teknologji në aplikacione të rëndësishme ushtarake”.

Ndërsa pikpamjet në Shtetet e Bashkuara rreth investimeve nga Kina mund të jenë të ndryshme, Shoqata Aziatike llogarit se gjatë 10 vjetëve të ardhshme bizneset kineze do të shpenzojnë 1 deri 2 trilion dollarë në gjithë botën si dhe do të vazhdojnë të investojnë në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG