Lidhje

Policia kineze arreston një aktivist ujgur


Policia kineze ka ndaluar një profesor universiteti i cili është një kritik i hapur i politikave kufizuese të Pekinit kundër pakicës etnike ujgur në Kinën perëndimore. Ilham Tohti, një profesor i ekonomisë në Universitetin Qendror të Kombësive në Pekin, dje u ndalua nga policia pas një kontrolli në shtëpinë e tij. Informacioni u njoftua nga gruaja profesorit Tohti, Guzaili Nu'er, e cila tha se policia gjithashtu konfiskoi telefona dhe pajisje kompjuterike nga shtëpia e tyre.
"Burri im nuk ka bërë asgjë. Ai vetëm ka shkruar artikuj mbi stabilitetin në Xinjiang dhe asgjë tjetër. Për këtë arsye unë nuk kam frikë."
Ministria e Jashtme e Kinës tha sot se zoti Tohti u ndalua "nën dyshimet për krime dhe shkelje ligji." Autoritetet kineze nuk dhanë hollësi të tjera.
Profesori 45 vjeçar ujgur është ndaluar disa herë në të kaluarën për shkak të shkrimeve dhe komenteve të tij.
Profesor Tohti i tha Zërit të Amerikës në nëntor se policë të veshur me rroba civile përplasën makinën e tij, i morën telefonin dhe kërcënuan se do ta vrisnin për shkak të komenteve që ai kishte bërë në media.
Ai vazhdimisht ka kritikuar politikat e ashpra të Kinës në rajonin perëndimor Xinjiang, ku Pekini thotë se po lufton separatistët e mbështetur nga të huajt.
Grupet e të drejtave të njeriut dhe ujgurët në mërgim thonë se Kina po ekzagjeron kërcënimin për të justifikuar shtypjen e jetës fetare të myslimanëve në këtë rajon.
XS
SM
MD
LG