Lidhje

Kina pranon takimin e kompanive të mbrojtjes me zyrtarë të Gadafit.


Kina pranon takimin e kompanive të mbrojtjes me zyrtarë të Gadafit.
Kina pranon takimin e kompanive të mbrojtjes me zyrtarë të Gadafit.

Pranimi nga Kina javën e kaluar se kompani kineze të mbrojtjes janë takuar me përfaqësues të Muamar Gadafit në muajin korrik për të diskutuar një marrëveshje të mundshsme armësh, ka ngritur pikëpyetje lidhur me llojin e ndihmave ushtarake që Kina i ka dhënë ish-udhëheqësit libian. Korrespondenti i Zërit të Amerikës William Ide njofton nga Washingtoni:

Kina mohon të jetë nënshkruar ndonjë kontratë në takimin e korrikut në Pekin dhe thotë se në Libi nuk janë eksportuar armë si rezultat i takimit. Në se kompanitë kineze kanë eksportuar armë në Libi, kjo do të përbënte shkelje të sanksioneve të vendosura nga OKB-ja këtë vit.

Analisti Richard Fisher i Qendrës Strategjike dhe Vlerësimit Ndërkombëtar thotë se ai u çudit që Pekini e pranoi faktin e zhvillimit të takimit dhe se kompanitë kineze të mbrojtjes kishin marrë në konsideratë përfshirjen në luftën civile në Libi.

“Rrallëherë, e ndoshta kurrë nuk ka ndodhur që një zëdhënës qeveritar i Kinës të pranojë pjesërisht fajin. Rregulli i parë në këto raste është mohimi i gjithshkaje. Zëdhënësi qeveritar që fillimisht e kishte mohuar faktin, pas 24 orësh pranoi se ka patur të paktën një kontakt me zyrtarë të qeverisë libiane.”

Zoti Fisher thotë se pranimi i takimit nga ana e Kinës duket se është një përpjekje për t’iu drejtuar të dyja palëve në konfliktin libian.

“Mohimi i plotë i faktit të takimit do t’i kishte prishur marrëdhëniet e tyre me Libinë, prandaj ata vendosën të mos e mohonin këtë fakt. Por duke pranuar pjesërisht një gabim nga ana e kinezëve, kjo i hap dyert edhe shumë pikëpyetjeve të tjera.”

Hollësitë e takimit të korrikut u zbuluan kohët e fundit, kur një gazetar kanadez i gazetës “The Globe and Mail”, gjeti disa dokumente në një lagje të Tripolit, të cilat flisnin lidhur me përpjekjet e kompanive kineze të mbrojtjes për t’u shitur armë dhe municione forcave të Muamar Gadafit. Në dokument nuk thuhej në se këto materiale ishin dërguar në Libi.

Zyrtarë të Këshillit Kalimtar të Libisë thonë se ata ishin në dijeni të përfshirjes së Kinës në shitjen e armëve, edhe para se dokumentet të bëheshin publike dhe swe kishin në plan, të merrnin masa ligjore.

Para vendosjes së sanksioneve të OKB-së në fillim të vitit dhe para fillimit të luftës në Libi, Ministrisë libiane të Mbrojtjes i ishin afruar shumë vende të botës për t’I shitur armë. Më tepër se 100 kompani nga të paktën 24 vende morën pjesë në Ekspozitën e Mbrojtjes në Libi vitin e kaluar. Më tepër se gjysma e këtyre kompanive ishin britanike.

Mes tyre ishin edhe ato kineze, përfshirë ato që janë përmendur në dokumentet që u gjetën në fillim të muajit, sipas analistëve ushtarakë.

Pieter Wezeman është studiues në Institutin Kërkimor të Paqes të Stokholmit. Ai është i specializuar në çështjen e transferimit të armëve në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore

“Është më se e sigurtë se Kina përpiqet të shesë të gjitha llojet e pajisjeve ushtarake, që nga armët e vogla e deri tej automjetet e blinduara e avionët luftarakë, ashtu sikurse gjithkush, dhe ashtu sikurse kanë vepruar edhe vende të tjera. Megjithatë, dihet shumë pak lidhur me armatimet që Kina ka dërguar në Libi.”

Por, analisti Richard Fisher thotë se armatimet kineze kanë patur rol në konfliktin libian.

“Po t’i hedhësh një vështrim luftimeve që nga fillimi i luftës civile, duket qartë se të dyja palët në konflikt kanë përdorur armatime kineze. Të dyja palët e kanë qëlluar njëra tjetrën me granatahedhëse kineze. Të dyja palët kanë përdorur kamionë kinezë për transportimin e automatikëve dhe topave, që i kanë përdorur më pas kundër njëri tjetrit.”

Zyrtarët amerikanë thonë se nuk kanë ndonjë të dhënë për ta kundërshtuar qëndrimin e Kinës që thotë se nuk i ka shitur armë Libisë.

Në fjalimin që mbajti në një takim të organizuar nga gazeta “The Christian Science Monitor”, Ambasadorja amerikane në OKB, Susan Rice, tha se Kina i ka thënë Shteteve të Bashkuara se ka në plan “ta forcojë kontrollin brenda vendit”, në mënyrë që të mos ndodhin më takime si ai i korrikut.

XS
SM
MD
LG