Lidhje

Plane për reforma të thella në kompanitë shtetërore kineze


Kina ka njoftuar një valë të re reformash ekonomike që mund të vendosin presion të paparë mbi kompanitë shtetërore dhe mund të eliminojnë dominimin e kontrollit shtetëror në disa sektorë.

Në raportin e ri mbi reformat e ardhshme që parashikon qeveria kineze, përfshihen hollësi specifike mbi ndryshime që nga politikat sociale, si për shembull në rregullat për kontrollin e lindjeve e deri tek mbrojtja e mjedisit. Po ashtu specifikohen plane për të rritur efektivitetin në ushtri dhe për të luftuar korrupsionin, si për shembull kushtet e strehimit të zyrtarëve qeveritarë për të mos lejuar që ata të zënë pronat e të tjerëve.

Por ndër 60 objektivat e parashtruara në plan, ato që spikasin më së shumti janë reformat ekonomike.

Ekonomia kineze po rritet me ritmet më të ngadalta në mbi 2 dekada dhe janë shtuar thirrjet që qeveria të krijojë një model të ri ekonomik. Ajo që kërkohet është një model që rrit vartësinë tek konsumi i brendshëm, duke reduktuar mbështetjen tek eksportet, shtimin e hapësirës për aktivitet të bizneseve të vogla dhe të mesme dhe rritjen e rolit të tregut të lirë në ekonominë kineze që është dominuar nga sektori shtetëror.

Analistët thonë se ndryshimet në kompanitë shtetorëre do të jenë kyçi i suksesit të përgjithshëm të reformave.

Barry Naughton është ekonomist dhe pedagog në Universitetin e Kalifornisë në San Diego:

“Ata që përgatitën raportin po përpiqen të krijojnë ndryshime domethënëse në kompanitë shtetërore. Ata kanë përfshirë në raport një numër kushtesh për këto kompani”.

Disa nga kushtet përrfshijnë rritjen e transparencës në kompanitë shtetorore, raporte dhe hollësi buxhetore më të hapura. Plani merr në shqyrtim edhe pagat që marrin drejtuesit e kompanive shtetorëre dhe nevojën që kompensimi i tyre të jetë më i bazuar tek tregu.

Kompanitë shtetorore do të duhet t’i paguajnë një përqindje më të lartë të fitimeve qeverisë.

Në një intervistë kohët e fundit për stacionin shtetëror CCTV, një zyrtar i lartë ekonomik në Partinë Komuniste, Yang Weimin, thotë se reformat qeveritare synojnë të krijojnë një terren më të drejtë për aktivitet si për kompanitë shtetërore, ashtu edhe ato private.

Reformat do të lejonin një angazhim më të madh të investimeve private në kompanitë shtetërore dhe në disa sektorë shteti mund të tërhiqet dhe t’i lërë mundësi aktiviteti biznesit privat:

Zoti Yang thotë se ata që e lexojnë dokumentin mund të mendojnë se kanë dëgjuar premtime të ngjashme në të kaluarën, por ai thotë se intensiteti i reformave këtë radhë është shumë më i madh.

Nuk ka gjasa që Kina të zbusë kontrollin mbi sektorë të rëndësishëm për sigurinë kombëtare, por sipas raportit, qeveria do të zbusë pengesat ndaj investimeve të huaja në sektorin e shërbimeve, përfshirë bankat dhe financat.

Cai Jiming, profesor i ekonomisë në Universitetin Tsinghua, thotë se qeveria po përpiqet t’i bëjë kompanitë shtetërore më konkurrente duke lejuar investime të huaja:

Profesori thotë se kur investimet e huaja të futen në kompanitë shtetorëre ato sjellin transformim në strukturën e kompanisë e cila që nga ai moment duhet të operojë në bazë të standardeve moderne të industrisë dhe duhet të integrohet në tregun e hapur.

Profesor Barry Naughton i Universitetit të Kalifornisë thotë se një ndër elementët më pozitivë të raportit është se deklaron shprehimisht se qeveria do të reduktojë ndërhyrjen në ekonomi.

“Ka shumë pjesë në raport që flasin për konkurrencë më të drejtë dhe në bazë të rregullave të tregut. Këto janë deklarata të forta, por nuk nënkuptojnë asgjë nëse nuk goditen privilegjet që gëzojnë aktualisht kompanitë shtetërore”.

Kompanitë shtetorëre kanë gëzuar prej kohësh kushte të favorshme si për shembull kredi me kushte të leverdisshme, me përqindje të ulët, subvencione dhe mungesë konkurrence. Këto kompani gëzojnë edhe influencë të madhe politike brenda qeverisë dhe disa prej tyre janë më të fuqishme se ministritë qeveritare. Për këtë arsye, thonë analistët, reformat në këtë sektor nuk do të jenë të lehta të realizohen.
XS
SM
MD
LG