Lidhje

Reformat politike në Kinë


China Congress
China Congress
Kanë kaluar vetëm pak javë që kur Kina ndërmori tranzicionin e saj të udhëheqjes që ndodh një herë në dekadë, por pritshmëria për ndryshim është në rritje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës William Ide njofton nga Pekini se, kur bëhet fjalë për ekonominë e ngadalësuar, apo për përmirësimin e sistemit ligjor të Kinës dhe pakësimine korrupsionit në qeveri, interesi publik për "reformë" është në rritje.

Po të shfletosh një gazettë në Kinë apo të klikosh në një faqe interneti në gjuhën kineze, diskutimet për reforma gjenden lehtë. Jin Can-rong, profesor i shkencave politike në Universitetin Renmin të Pekinit, thotë se propozimet për reforma po tërheqin vëmendje.

“Megjithëse të gjithë shpresojnë për reforma, se çfarë do të thotë kjo në mendjet e tyre është e paqartë. Për shembull, reforma që mendoj unë është ndryshe nga ajo që mendon ti dhe në mendjet e 100 njerëzve mund të ketë ide të tjera për reformat. Për këtë arsye fjala reformë është një temë e nxehtë tani për tani”.

Disa propozime bëjnë thirrje për ndryshime të qarta, dhe në disa raste radikale. Këto ditë, disa gazeta në Pekin kishin artikuj për udhëheqësin e ri të Kinës, Wang Qishan dhe një takim të kohëve të fundit, ku u diskutua publikisht zbulimi i pasurive private të zyrtarëve. Një transparencë e tillë do të ishte e paparë për një qeveri që i kushton shumë kujdes fshehtësisë.

Në fund të javës së kaluar, udhëheqësi i partisë komuniste Xi Jinping dha një fjalim që u transmetua nga media shtetërore dhe që u përqëndrua në atë që ai e quajti “rilindja e madhe e kombit kinez”.

Jin Canrong thotë se fjalimi i zotit Xi parashtroi qartë se ideja e tij për rilindjen e vendit ishte një synim kombëtar dhe se mënyra që Kina ta arrijë këtë synim është duke reformuar kur dhe ku është e nevojshme.

Jin thotë se për udhëheqësit kinezë, reforma nuk është synimi, por mjeti që duhet përdorur, jo se atyre u intereson reformimi por për të realizuar synime më të mëdha.

Disa analistë perëndimorë janë të bindur se Xi dhe ekipi i tij me gjashtë zyrtarë nuk do të jenë në gjendje të realizojnë reforma ekonomike dhe politike. Ata argumentojnë se ka shumë pengesa në sistemin qeveritar, ushtarak, në aparatin e sigurimit, në ndërmarrjet e fuqishme shtetërore dhe forca të tjera që e bëjnë të pamundur ndryshimin.

Kritikët e qeverisë si aktivisti i verbër Chen Guangcheng paralajmërojnë se Kina duhet të reformohet tani ose do të përballet me pasoja të pariparueshme. Në një fjalim permes një videokasete të publikuar ditët e fundit me rastin e Ditës së të Drejtave të Njeriut, Chen i bën thirrje të drejtpërdrejtë zotit Xi, duke iu drejtuar atij me emër.

“I gjithë vendi i ka drejtuar sytë nga zoti Xi për të parë nëse ai po dëgjon vullnetin e popullit dhe nëse do të bëjë reforma apo do të rrëmbejë qeverinë dhe do të mbrojë ata në pushtet. Nëse Xi nuk merr hapa për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe zbatimin e ligjit, Kina do të kalojë në një tranzicion të dhunshëm”.

Por ndryshimet nuk kanë qënë asnjëherë të lehta për një vend aq të kontrolluar sa Kina.
Një shembull i fundit thekson jo vetëm ndërgjegjësimin në rritje të nevojës për reforma, por gjithashtu ngurimin e qeverisë për ndryshime.

Disa agjenci lajmesh të mbështetura nga qeveria transmetuan njoftime të gazetave kineze rreth asaj që mund të ishte një vendim i rëndësishëm i gjykatës.

Njoftimet bënin të ditur se një person ishte dënuar me një vit e gjysmë burg për ndalimin e paligjshëm të individëve që kishin shkuar në Pekin për t’u ankuar në qeverinë qendrore.
Qendra të tilla të paligjshme paraburgimi ose "burgjet e zeza" kanë qenë prej kohësh të diskutueshme në Kinë pasi operojnë jashtë ligjit. Media shtetërore ka njoftuar se gjysma e më shumë se 70 qendrave të tilla ekzistojnë në Pekin dhe rreth tij.

Një vendim gjykate kundër tyre do të ishte një tregues kritik se qeveria po mundohet ta luftojë këtë fenomen. Megjithatë, menjëherë pas njoftimit për vendimin e gjykatës, media shtetërore më vonë e tërhoqi njoftimin dhe tha se ai ishte i rremë. Kur Ministria e Jashtme u pyet lidhur me njoftimin misterioz, zëdhënësi u përgjigj me një mohim të prerë. “Burgjet e zeza nuk ekzistojnë”.

Analistët thonë se përsa kohë problemet janë shumë sensitive për t’u trajtuar, prespektiva për reforma do të vazhdojë të jetë e zymtë.
XS
SM
MD
LG