Lidhje

Kina rrit buxhetin e mbrojtjes


Kina ka njoftuar një tjetër rritje në buxhetin e mbrojtjes, mes shqetësimeve rajonale rreth këmbënguljes e saj në rritje ushtarake. Pekini tha sot se do ta rrisë buxhetin e mbrojtjes me 12 për qind këtë vit, për të ndihmuar me modernizimin e forcave të armatosura dhe zhvillimin e armëve më të përparuara.

Rritja e shpenzimeve ushtarake u shpall së bashku me disa plane të tjera gjatë takimit të përvitshëm të Asamblesë Kombëtare Popullore. Në fjalimin e tij në parlament, kryeministri Li Keqiang tha se Kina po përpiqet të arrijë një rritje ekonomike prej 7,5 për qind këtë vit, një shifër e pandryshuar nga synimi i vitit të shkuar.

“Ne do të zgjerojmë tërësisht reformat, do të nxisim zhvillimin nëpërmjet inovacionit, do të vazhdojmë në rrugën e re të industrializimit, përdorimit teknologjik, urbanizimit dhe modernizimit të bujqësisë me karakteristika veçanërisht kineze, të përshpejtojmë transformimin e modelit të rritjes, ndryshime strukturore dhe përmirësimin industrial, zhvillimin e sistemit bazë të shërbimit publik, të sigurojmë dhe përmirësojmë mirëqenien e njerëzve.”

Gjatë viteve të fundit, ritmet e rritjes ekonomike të Kinës kanë rënë, pas tre dekadash rritje të shpejtë, që ë bëri vendin ekonominë të dytë më të madhe të botës, pas Shteteve të Bashkuara. Pekini është përballur gjithashtu me pakënaqësi në rritje mes qytetarëve mbi korrupsionin e shfrenuar qeveritar, përkeqësimin e ndotjes, dhe politikat e tij shtypëse ndaj pakicave etnike.

Duke shfaqur këto pakënaqësi, forcat e sigurisë mblodhën një numër protestuesish që po shpërndanin fletushka në Sheshin Tiananmen ndërsa filloi sesioni i asamblesë. Takimi vjen disa ditë pasi sulmues të maskuar vranë 29 njerëz në një stacion treni në qytetin jugperëndimor të Kunming-ut. Militantët nga rajoni Xinjiang konsiderohen fajtorë të sulmit, ku ujgurët etnikë thonë se ato po vuajnë nga shtypja qeveritare.

Në raportin e tij, kryeministri Li premtoi se Kina do të “tregohet shumë e ashpër ndaj krimeve të dhunshme të terrorizmit” dhe “do të mbrojë sigurinë kombëtare të Kinës.”
Zoti Li u zotua të “shpallë luftë” ndaj ndotjes, duke vendosur një limit mbi konsumin e përgjithshëm të energjisë së vendit. Një raport i veçantë i qeverisë thekson se Kina do të rrisë shpenzimet për ruajtjen e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit me 7,1 për qind në vitin 2014.
XS
SM
MD
LG