Lidhje

Marrëdhëniet Kinë - Tajvan


Kina dhe Tajvani kanë lënë mënjanë armiqësitë politike gjatë pesë viteve të fundit dhe kanë arritur një sërë marrëveshjesh ekonomike që kanë sjell përmirësimin e marrëdhënieve të përgjithshme. Tani presidenti i Kinës ka bërë një ofertë të re për bisedime politike me Tajvanin. Por në Taipei, një udhëheqje e dobësuar politikisht mund të mos jetë në gjendje për bisedime të tilla të ndjeshme.

Kina ka pretenduar sovranitetin mbi Tajvanin e vetë-qeverisur për më shumë se gjashtë dekada, dhe këtë muaj presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje që të dyja palët të ulen më në fund për të ddiskuatuar rreth dallimeve politike mes tyre. Zoti Xi i bëri këtë komentet në një takim me të dërguarin taivanez në një forum rajonal ekonomik në Indonezi.

Leonard Chu, profesor për komunikimin në Universitetin Kombëtar Chengchi në Taipei, thotë se presioni nga Kina duhet të pritet, ashtu si dhe rezistenca nga Tajvani.

“Që kur Deng Xiaoping ishte ende gjallë, thoshte se Taivani duhet të jetë pjesë e Kinës dhe shtonte se është çështje kohe para se të dy palët të ulen e të bisedojmë për këtë çështje. Shpejt apo vonë ne duhet të diskutojmë çështjet politike. Zoti Xi këmbëngul në këtë drejtim ndërsa Tajvani kërkon ta vonojë diskutimin.”

Kina dhe Tajvani kanë patur qeveri të ndryshme që nga lufta civile kineze në vitet 1940 kur komunistët mundën nacionalistët. Nacionalistët apo kuomintangët e zhvendosën qeverinë e tyre në Tajvan, 160 kilometra larg brigjeve të Kinës. Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forces për t’i ribashkuar të dyja palët.

Por kërcënimi i fundit ushtarak ishte në vitin 2005, dhe tre vjet pas atij, të dyja palët i lane mënjanë mosmarrëveshjet politike dhe nënshkruan marrëveshje ekonomike, të tregëtisë dhe investimeve që kanë ndikuar në rritjen ekonomike të Tajvanit. Vitin e kaluar 2, 6 milion kinezë vizituan Tajvanin, duke përbërë gati 35 përqind të turizmit ndërkombëtar.

Shumë e kanë parë vullnetin e Kinës për marrëveshje ekonomike si një ofensivë tërheqëse për të bindur ishullin të pranojë një ditë ribashkimin politik.

Komenti këtë muaj nga presidenti kinez Xi Jinping rreth zgjidhjes përfundimtare të mosmarrëveshjeve politike duket se e mbështesin këtë teori. Kina kërkon bisedime që të përfshijnë një marrëveshje paqeje, pranimin nga ana e Tajvanit se të dyja palët i takojnë një vendi dhe më shumë kontroll kinez mbi marrëdhëniet e ishullit me botën e jashtme.

Lai I-chung është zëvendëspresident me organizatën studimore “Taiwan Think Tank”.

“Marrëdhëniet e Tajvanit me botën e jashtme do të jenë nën vëzhgimin kinez dhe çdo gjë që Tajvani kërkon të bëjë në mënyrë të pavarur me fuqitë e jashtme do t’i duhet të konsultohet më pare me Kinën.”

Publiku në Tajvan i mbështet marrëdhëniet e biznesit me Kinën, ekonomia e dytë më e madhe e botës. Këto marrëveshje e çuan tregëtinë mes tyre në 121 miliardë dollarë vitin e kaluar.

Por shumë tajvanezë e shohin me dyshim një marrëveshje politike që mund të ndikojë tek autonomia e ishullit. Presidenti i Tajvanit Ma Ying-jeou gëzon një mbështetje shumë të vogël për punën e bërë. Ai nuk mund të garojë përsëri në vitin 2016 kur i mbaron mandati, por për të ndihmuar reputacionin e partisë së tij nacionaliste, ai pritet të kërkojë mbështetje nga jashtë para se të bisedojë politikisht me Kinën.

Alexander Huang, profesor për studime strategjike në Universitetin Tamkang në Taijvan thotë se zoti Ma duhet të ketë kujdes në se takohet me homologun e tij kinez.

“Mbështjetja e publikut për punën e tij është shumë e ulët, kështu që nuk mund të themi se nuk e ka mandatin e popullit por ai do të jetë shumë i kujdesshëm në se do të duhej ta takonte homologun e tij. Mendoj se njerëzit do të jenë të interesuar të shohin në se Ma Ying-jeou do të trajtohet në pozitat e inferiorit”.

Presidenti tajvanez nuk ka pranuar të japë një afat kohor për bisedime politike dhe i dërguari tajvanez që takoi presidentin kinez në takimin e bashkëpunimit rajonal nuk ndërmorri angazhime të tjera. Por përballja me shkurtime të mundshme ekonomike nga Kina e bën presidentin tajvanez të peshojë mundësinë e vizitës në Kinë për herë të parë vitin e ardhshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG