Lidhje

Kina reagon ndaj komenteve për vetizolim


Një zyrtar i lartë i ushtrisë kineze hodhi sot poshtë komentet e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes se Pekini ndodhet përballë vetizolimit pas “një muri tjetër të madh” nëse vazhdon aktet provokuese në Detin e Kinës së Jugut.

Admirali kinez Sun Jianguo tha se Kina nuk është e izoluar dhe se as nuk do të izolohet në të ardhmen.

Reagimi i ushtarakut të lartë kinez po analizohet nga njohës të politikave kineze si sinjal se komentet e Sekretarit Ash Carter e kanë irrituar Pekinin. Analisti Rory Metcalf, i cili ishte i pranishëm në takimin ku i bëri komentet admirali kinez, thotë se kishte shenja të qarta që Kina i kishte marrë shumë seriozisht komentet për vetizolim. Admirali kishte kritikuar operacionet e ushtrisë amerikane në ujërat pranë Kinës dhe mbështetjen që u jep Uashingtoni vendeve në rajon, të cilat kanë mosmarrëveshje territoriale me Pekinin.

Sekretari i Mbrojtjes Ash Carter tha dje para një grupi ministrash të mbrojtjes, analistë të sigurisë dhe studiues se ka shqetësim në rritje për sjelljen e Kinës në ujërat strategjike dhe pika të tjera.

Sekretari i Shtetit John Kerry, tha sot në komentet që bëri në Mongoli se Uashingtoni do ta konsideronte ngritjen e një zone të mbrojtjes nga fluturimet mbi Detin e Kinës së Jugut si “akt provokues dhe destabilizues”.

XS
SM
MD
LG