Lidhje

Kinë, bien tregjet e aksioneve


Në Kinë, tregjet e aksioneve ranë sot më shumë se 8 përqind, duke hedhur dyshime mbi planet e Pekinit për të parandaluar një rënie edhe më të thellë.

Zhvillimet e sotme tronditën një periudhë qetësie relative në tregjet kineze pas masave që ndërmori qeveria për të penguar prirjen e filluar në mes të qershorit.

Përpjekjet e paprecedent të qeverisë kineze për të penguar rënien e aksioneve pësuan një dështim të papritur.

Treguesit kryesorë të bursës kineze pësuan rënien më të madhe që nga viti 2007, duke tronditur qetësinë relative prej tri javësh që kur Pekini ndërmori një seri masash për të ndalur rrëshqitjen që kishte filluar në mes të qershorit.

Treguesi CSI-300 i kompanive më të mëdha në Shanghai dhe Shenzhen ra 8.6 përqind, ndërsa Treguesi i Përbërë i Shanghait humbi 8.5 përqind.

Aksionet ranë në të gjithë spektrin dhe përfshinë 2,247 kompani. Rritje patën vetëm 77 kompani.

Analistët u përpoqën të shpjegojnë përmasat e mëdha të rënies, e cila erdhi duke u rritur pasdite, shumë orë pasi investitorët patën kohë të analizojnë lajmet e fundit nga ekonomia.

Megjithatë, disa investitorë vazhduan të jenë optimistë.

“Tregjet ranë mjaft, jo shumë kohë më parë, prandaj tani jam i imunizuar dhe jo shumë i shqetësuar. Mendoj se tregjet kanë arritur pikën më të ulët dhe nuk kanë ku të shkojnë më. Mendoj se do të kemi një rikthim pas kësaj rënieje,” thotë investitori Tan Minghui.

"Ndihem ende optimist për momentin. Nuk besoj se tregu do të kthehet kaq shpejt në shifra negative,” thotë 28-vjeçari Wang Weidong.

Tronditja e sotme erdhi pas njoftimeve për rënien e fitimeve në një numër firmash industriale të vendit.

Robert Halver është analist tregjesh në Baader Bank të Gjermanisë.

"Kina është jashtëzakonisht e rëndësishme për ekonominë botërore. Nëse gjërat vazhdojnë kështu, banka qendrore e Kinës do të blejë aksionet e veta në kompanitë e ndryshme. Nëse Kina dobësohet, e gjithë ekonomia botërore do të ketë probleme dhe Greqia do të dukej si lojë fëmijësh në këtë rast.”

Pasojat e rënies së tregjeve kineze u ndjenë edhe në Evropë, sidomos te aksionet e eksportuesve gjermanë.

XS
SM
MD
LG