Lidhje

Kinemaja shqiptare, sfida dhe kriza


Një grup i madh kineastësh dhe spektatorësh morën pjesë mbrëmë në premierën shqiptare të filmit “Sorrelle mai” të regjisorit të njohur italian Marko Belokio. Në ceremoni erdhi edhe vetë autori nga Italia, për të diskutuar me kolegët dhe studentët shqiptarë. Regjisori italian Marko Belokio dhe regjisori shqiptar Dhimitër Anagnosti firmosën pllakat e qeramikës, të cilat vendosen për respekt të veprës së tyre në sheshin e yjeve para teatrit “Moisiu”. Sheshi i yjeve i ndërtuar këto ditë mban edhe nënshkrimet e kineastëve dhe aktorëve të shquar si Fransis Ford Kopola, Sandër Prosi, Xhanfise Keko, Klaudia Kardinale, Agim Qirjaqi, Ian Harlan e shumë të tjerë.

“Për shkak të krizës tani njerëzit në Itali shkojnë shumë më pak në kinema, thotë Marko Belokio, ndërsa regjisorët po krijojnë filma më pak të kushtueshëm. Por këtu në shqipëri ka probleme më të mëdha. Këtu në Durrës organizohet prej disa vjetësh një festival shumë i njohur ndërkombëtar i filmit artistik, por qyteti nuk ka asnjë kinema të vetme. Ky është qytet i madh dhe kjo mungesë është një problem i madh. Në Tiranë nuk gjen asgjë nga arkitektura madhështore apo qendrat tërheqëse, por mund të ndjehet shpirti i të rinjve që përpiqen për të krijuar veprat e tyre dhe për të sjellë diçka të re në kulturën shqiptare”.

Duke vlerësuar shkollën e kinemasë “Marubi”, regjisori Belokio tha se në Shqipëri ka shumë të rinj që studiojnë kinema dhe kanë dëshirë që të krijojnë filma. “Ekziston një realitet i artistëve të rinj, që mund të realizojnë vepra të jashtëzakonshme. E ardhmja madhështore u takon të rinjve, ndërsa më të vjetrit përpiqen të arrijnë veprat që duan vetë. Një shoqëri moderne duhet të ndihmojnë të rinjtë që të realizojnë ëndrat e tyre”, tha ai.

Ndërsa regjisori i njohur shqiptar Kujtim Çashku thotë se ndryshe nga Durrësi që nuk ka ende një kinema, Tirana i shkatërroi dhe i bëri pallate banimi të gjitha kinematë që kishte. “Mendoj se pavarësisht nga sukseset sporadike të kinemasë tonë, ne akoma nuk jemi në atë lloj kinemaje që të përligjë së paku politikat kulturore të rajonit ku ndodhemi. Ne jemi akoma nga vendet me buxhetin më të vogël për kinematografi. Përveç kësaj, ne kemi një shkatërrim të plotë të infrastrukturës së rrjeteve kinematografike ku filmi meriton dhe duhet të shfaqet. Për ta ndryshuar gjendjen duhen njerëz vizionarë, që të mos mendojnë sot për sot”, thotë ai.

Artistët shqiptarë shprehën shqetësim për indiferëncën që mbulon kulturën dhe kinemanë shqiptare. Pothuajse asnjë regjisor i rëndësishëm nuk po xhiron aktualisht film artistik dhe askush nuk shqetësohet për këtë. Mungojnë paratë, mungon vëmendja, mungon industria. Frekuentimi i kinemasë nuk është më ai që ka qenë, për arësye që dihen. Ka një kontakt të gjerë të publikut me filmin për mes televizionit, dhe aktiviteteve të shumta që e tërheqin qytetarin. Pastaj kinematë janë të pakta. Kinemaja shqiptare ka një traditë të sajën dhe ka prodhuar shumë. Tani problemi më i madh mbetet prodhimi i filmit. Nuk është vetëm problem fondesh, por njëkohësisht është edhe problem krijimtarie, skenarë, tema” - thotë regjisori i njohur shqiptar Dhimitër Anagnosti.

Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit mirëpret prej 4 vjetësh festivalin ndërkombëtar të filmit, ku cdo vit marrin pjesë personalitete të kinemasë botërore. Vitin e kaluar mori pjesë regjisori Fransis Ford Kopola. Shfaqja e filmave bëhet në teatrin “Moisiu” dhe në amfiteatrin romak.

Ministria e kulturës dhe bashkia i kanë mbështetur këto veprimtari, së bashku me ambasadat e ndryshme dhe Institutin italian të Kulturës. Një festival tjetër filmi pritet në vjeshtë, megjithatë mbështetja financiare sa vjen e bie dhe bashkë me fondet ka rënë ndjeshëm edhe prodhimi i filmave shqiptarë.

XS
SM
MD
LG