Lidhje

Filmi Graviteti ose historia e mbijetesës në hapësirë


Filmi i Alfonso Cuaron është një dramë psikologjike që ofron njëkohësisht pamje mbresëlënëse. Ndërkohë që misioni në hapësirë pëson një aksident, shkencëtarja Ryan Stone po zhytet në errësirën e ftohtë dhe të pafund dhe shanset e saj për t’u rikthyer në tokë janë shumë të zymta. Një histori e thjeshtë humbje dhe mbijetese që ndodh qindra mijëra kilometra mbi tokë ndërkohë që pamjet e bukura filmike shfaqin si bukurinë po ashtu edhe pamjen që të vrent nga hellësitë e hapësirës.

Fantazia e astronautëve të dalë në hapësirë ndërpritet befas nga paralajmërimi i qendrës së kontrollit për mundësinë e përplasjes nga mbetje të një satelit i shkatërruar rus. Astronauti Matt Kowalski paralajmëron zonjën Stone.

Por Ryan, luajtur nga Sandra Bullock, është në misionin e saj të parë dhe nuk e shikon rrezikun deri atëherë kur është shumë vonë. Kowalski, luajtur nga George Clooney, përpiqet ta ndihmojë atë.

Regjisori Alfonso Cuaron krijon një eksperiencë tre dimensionale të fatkeqësisë në hapësirë, ku romantika e qetë në hapësirë kthehet në tmerr dhe astronaututët humbasin kontroll. Zoti Cuaron tha për Zërin e Amerikës se donte të ishte sa më i saktë në krijimin e imazheve teknike.

“Me kinematografin Emmanuel Lubezki u përpoqëm të bënim diçka që dukej si dokumentar në IMAX. Po ashtu donim të bënim diçka që respekton ligjet e fizikës në hapësirë siç janë mikrograviteti dhe mungesa e rezistencës.”

Por edhe aktorët u përballën me ligjet e fizikës, kryesisht Sandra Bullock, e cila pothuajse e vetme qendron në themel të filmit si Ryan

“Çdo pamje që shikoni është e filmuar, madje edhe copëzat e vogla që bëjnë lidhjet. Të gjitha lëvizjet e hapësirës janë filmuar brenda një kupole ku jam e lidhur me shumë litarë.”

Bullock tha për Zërin e Amerikës se përjetimi i ndjenjave të një gruaje të humbur brenda kostumit hapsinor, ishte edhe më i vështirë.

“Duhet ta përjetosh atë jetë emocionale gjatë gjithë kohës. Gjithçka mund të shihet në sy nëse nuk e jeton dhe nuk je aty.”

Filmi të krijon ndjenjën e të qënit i mbyllur dhe betejën e Ryan për të mbijetuar. Duke qënë se ka humbur vajzën e saj të vogël, ajo ndjehet se nuk ka ndonjë arsye për të jetuar. Lufta e brendëshme e saj në mes të hapësirës krijon një dramë ekzistenciale.

“Është dikush që ka humbur lidhjet e me jetën dhe mbetjet paraqesin fatkeqësinë që i ndodh çdokujt në jetë. Dhe kur situata na hedh përtokë, ne duhet të ngrihemi, por përse ?”

Astronautët me NASA Catherine Coleman dhe Mike Massimino kanë realizuar shumë ecje në hapësirë. Ata thonë se filmi përshkruan me saktësi sfidat teknike dhe emocionale në hapësirë, sidomos mbeturinat që sillen rreth tokës që mund të rrezikojnë misionet.

“Çdo copë mbeturine më të madhe se kaq ne e ndjekim, dhe faktikisht nesër do të studiojmë diçka që po i afrohet stacionit të hapësirës dhe nëse duhet ta lëvizim atë apo jo. Probleme të vështira po të flasim për mbetjet hapsinore.”

Filmi Graviteti po diskutohet shumë si kandidat për çmimin Oscar sidomos për efektet vizuale dhe muzikën.
XS
SM
MD
LG