Lidhje

Greqi, Tensionet rreth situatës së refugjatëve në Kios


Një javë pas shpërthimit të konfliktit mes grekëve dhe refugjatëve në ishullin Kios, ku sipas disave drejt tendave të refugjatëve u hodhën shishe me benzinë, është përhapur frika se dhuna mund të fillojë përsëri. Korrespondenti i Zërit të Amerikës John Owens ishte në Kios, një prej ishujve që bart barrën e marrëveshjes mes BE-së dhe Turqisë në lidhje me refugjatët.

Në ishullin grek të Kiosit, refugjatët janë bllokuar dhe tensionet janë në rritje.

Nga muret e një kështjelle të lashtë, pak më shumë se një javë më parë u hodhën gurë të mëdhenj, dhe disa thonë edhe bomba molotov.

Ishte shumë me fat që në këtë kamp refugjatësh të quajtur Souda, ku jetojnë rreth 800 vetë, asnjë nuk humbi jetën.

Megjithatë, disa kanë frikë se kjo mund të ndodhë përsëri.

“Njerëzit që jetojnë në këtë kamp janë ende shumë të frikësuar ....dhe disa kanë qëndruar jashtë tij për disa ditë” tha Barbara Colzi, e agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët, UNHCR.

Detajet rreth ngjarjeve që ndodhën dhe përleshjeve janë ende duke u debatuar.

Por, meqë ky është një nga ishujt grekë i cili praktikisht është në epiqendrën e marrëveshjes të pranverës mes BE-së dhe Turqisë për të ndaluar ardhjen e refugjatëve në Evropë, rreziku i konfliktit është vazhdimisht i pranishëm.

Disa kanë ngelur në ishull për më shumë se gjashtë muaj, pa dijeninë se kur do të largohen dhe nëse do t’i jepet azil, duke nxitur tensione mes disave në kamp.

Mes atyre që presin është Mohammed al-Jassem, një sirian i cili arriti atje nga fundi i marsit.​

“Të gjithë njerëzit janë të shqetësuar, sepse nuk mund të bëjnë asgjë. Nuk mund të lëvizin nga ky kamp, nuk mund të shkojnë në Athinë e as në Evropë. Nuk mund të bëjnë asgjë, vetëm të vëzhgojnë” thotë ai.

Jo vetëm refugjatët i kanë ndjerë efektet e përpjekjeve të BE-së për të ndalur të sapoardhurit.

Kryesisht, qytetarët grekë janë treguar mikpritës për refugjatët e ardhur nga Turqia. Por me rënien e industrisë së turizmit dhe rritje në numrin e krimeve të vogla, pakënaqësitë janë rritur edhe mes tyre.

“Ka një mungesë informacioni për qytetarët e Kiosit të cilët kanë bërë shumë për të mirëpritur refugjatët - është radha e tyre për të qenë jashtëzakonisht të pakënaqur” thotë Sebastien Daridan i Këshillit Norvegjez për Refugjatët.

Ekziston frika se partia neo-fashiste Agimi i Artë, të cilët dyshohen se kanë të bëjnë me sulmet e kampit, mund të përfitojnë nga pakënaqësitë e qytetarëve kundrejt politikanëve dhe refugjatëve.

Të fajësuar nga qeveria greke se nuk kanë lejuar ndërtimin e një kampi të ri për të lehtësuar tensionin, autoritetet lokale, si nënkryetari i bashkisë George Karamanis, thonë se kanë ngelur me përgjegjësi por pa mbështetje.

“Ata kanë vendosur që ishulli do të luajë një rol të rëndësishëm në ndalimin e fluksit të refugjatëve, por ishujt nuk mbështeten mjaftueshëm për të përmbushur këtë detyrë” thotë ai.

Në kampin e refugjatëve Souda po errësohet. Dhe ndërsa afrohet nata, frika rritet se mos errësira mund të risjellën dhunën.

XS
SM
MD
LG