Lidhje

Shemben rrënojat e Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi

  • Raimond Kola

Inspektoriati i Ndërtimit shembi në orët e para të mëngjesit të sotëm një ndërtim pa leje mbi rrënojat e Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi. Burime vendore thanë se mjetet e inspektoriatit hodhën në tokë mbulesën prej betoni që qëndronte mbi muret e vjetra të Kishës dhe shembën një mur me blloqe betoni që rrethonte objektin. Operacioni kishte nisur të premten e 21 Gushtit pas një vendimi prishjeje të Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë së Himarës, por ishte ndërprerë për shkak të reagimit të besimtarëve.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë reagoi ashpër ndaj veprimit më të fundit. Zëdhënësi i Kishës Thoma Dhima e komentoi shembjen se një “Akti vandal të shtetit kundër Komunitetit Ortodoks”.

Reagime kanë ardhur edhe nga spektri politik shqiptar. Kryetari i Partisë Demokratike të opozitës Lulëzim Basha e cilësoi si të papranueshëhm shembjen me forcë duke deklaruar se“ zgjidhja e pretendimeve duhej të vinte vetëm përmes bisedimit, përmes dëgjimit të banorëve dhe angazhimit bashke me ta per te marre hapat e duhur me respekt te plote ndaj vlerave dhe te vertetave historike por edhe ndjeshmerive reale te banoreve dhe besimtareve te Dhermiut e te gjithe Shqiperise”. Zoti Basha kujtoi se në shoqërinë shqiptare plagë të tilla janë ende të freskëta në ndërgjegjen e besimtarëve. “Dua të theksoj se kjo është një cështje e Shqipërisë dhe e qytetareve shqiptarëve, e komunitetit dhe e banorëve të Dhërmiut dhe e askujt tjetër. Por kjo kërkonte një rrugë vetëm paqësore, një zgjidhje si rezultat i bisedimit dhe jo i dhunës.”-deklaroi zoti Basha. Kryetari i opozitës ka lëshuar sulme dhe ndaj Kryeministrit Rama.“ Shembja me INUK e kishës është një akt armiqësor i Edi Ramës, një shprehje e arrogancës e mënyrës së tij të qeverisjes që nuk merr në konsideratë qytetarët, nuk dëgjon zërin e tyre”,deklaroi kryetari i opozitës.

Menjëherë pas kësaj deklarate përmes një postimi të gjatë në Twitter Kryeministri Rama shprehet : “Eshtë e pabesueshme që Partia Demokratike, në injorancë të plotë të historisë, aktualitetit dhe të nesërmes së projektuar të kishës së vjetër të Dhërmiut, t’i bashkohet një kujeje të pabesueshme të kujt u vu në mbrojtje të ngrehinës skandaloze të së ashtuquajtur kishë; një ngrehinë e ndërtuar jo nga kisha, po nga brutaliteti individual i viteve ’90 mbi një monument kulture, të cilën në asnjë lloj konkursi për t’a gjetur se çfarë është, nuk do të dilte dot njeri në botë që të thoshte është kishë.” Kryeministri Rama vijon ndër të tjera se “Është ky vendi për të nënvizuar se marrëdhëniet e qeverisë me klerin ortodoks dhe me përfaqësuesit e tij më të lartë, si edhe marrëdhëniet e mia personale me kryepeshkopin Anastas, kanë qenë gjithnjë të shkëlqyera. Mosdakordësitë krejt të natyrshme për ndonjë problem krejt periferik jashtë çdo natyre fetare, nuk e zbehin dot shkëlqimin e kësaj marrëdhënieje dhe të respektit të merituar që kleri ortodoks, ashtu si edhe çdo kler tjetër në Shqipëri ka marrë prej nesh.” Zoti Rama deklaron më tej se “Bashkia e Himarës, do të rindërtojë aty shembëlltyrën e kishës së vjetër të Dhërmiut dhe meriton vetëm përgëzime në synimin e vet, për ta bërë atë truall përçues të jehonës së një kohe e historie të shkuar që brezat po edhe vizitorët meritojnë ta përjetojnë.”

Edhe Partia e të Drejtave të Njeriut reagoi ashpër duke e quajtur ndërhyrjen për prishje si “një vandalizëm qeveritar dhe duke u shprehur se qeveria ishte e kapur në interesa klienteliste.” Pas shembjes në rrënojat e Kishës në Dhërmi reagoi edhe Ministria e Jashtme greke. Sipas njoftimeve nga Athina, Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Konstandini Koutra, duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Athinë deklaroi : “Shkatërrimi i vendeve të shenjta dhe objektet e kultit është zhvilluar, të paktën deri kohët e fundit, në Lindjen e Mesme e më të gjerë dhe Afrikën e Veriut vetëm nga xhihadistët. Sot, ne pamë që kjo gjë është bërë edhe në shtetin fqinj, Shqipëri. Do të informoheni për lëvizjet e Greqisë në komunitetin ndërkombëtar për këtë rast” , ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke.

Në reagimin e sotëm kryeministri Rama ka deklaruar se “asnjë çështje apo problem i Kishës Autoqefale Shqiptare apo i ortodoksëve shqiptarëve nuk ka asnjë lidhje me shtetin fqinj”. Ortodoksët shqiptarë janë qytetarë shqiptarë, shkruan Rama, që kanë shtetin e tyre dhe hapësira e ushtrimit të besimit të tyre nuk është protektorat i asnjë shteti tjetër. Ashtu sikundër Kisha Autoqefale Shqiptare, çdo problem që ka pasur, ka apo do të ketë me shtetin, e ka trajtuar, e trajton apo do ta trajtojë me shtetin shqiptar e me institucionet e tij. Prandaj, çdo ndërhyrje në këtë mes, është ndërhyrje e papranueshme në punët e brendshme të Shqipërisë ka deklaruar kryeminstri shqiptar Edi Rama.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG