Lidhje

Kishat amerikane dhe ekuilibri punë-jetë

  • Jerome Sokolovsky

Një brez më parë, shumë kisha në Shtetet e Bashkuara mbështeteshin tek nënat shtëpiake që punonin si vullnetare. Tani vajzat e tyre e kanë të vështirë të balancojnë punën dhe fëmijët. Udhëheqës të kishave po kuptojnë se familjet me vështirësi të tilla nuk mund të jenë mbështetje kryesore për të ardhmen e institucioneve amerikane fetare.

Ditë është tepër e ngjeshur për Deanna Troust dhe bashkëshortin e saj Vic Fernandez edhe para se ata të shkojnë në punë. Duhet shtruar mëngjesi, duhet përgatitur dreka, si dhe duhen mbaruar detyrat e shtëpisë.

"Është me të vërtetë e vështirë, aq më tepër kur të dy prindërit punojnë dhe unë gjithmonë i konsideroj të dyja “karriera të rëndësishme”. Nëse bashkëshorti ka gjithashtu një punë të rëndësishme, atëherë, mundohesh vetëm të realizosh gjërat pjesë-pjesë, 5 minuta këtu, 10 minuta atje, dhe përpiqesh të bësh që gjithçka të shkojë mirë."

Kur vjen e diela, shpesh ata nuk kanë dëshirë të shkojnë në kishë.

"Ndonjëherë kemi nevojë vetëm për një ditë, në të cilën të mos na duhet të dalim nga shtëpia në orën nëntë."

Prindër në të gjithë vendin kanë vështirësi për të balancuar punën dhe fëmijët.
Kishat gjithashtu po vuajnë faktin që familjet amerikane kanë më pak kohë për t’i kushtuar jetës në komunitete fetare. Por prifti i kësaj kishe thotë se besimi mund të jetë pjesë e zgjidhjes. David Gray është klerik i Kishës Bradley Hills në Bethesda, të Marylandit.

"Në komunitetin tonë kemi shumë njerëz të cilët janë tepër të zënë me punë. Kjo është diçka e zakonshme në zonën e Uashingtonit dhe është një problem i shumë anëtarëve të komunitetit tonë, prandaj kur unë vështroj pjesëmarrësit në meshë, kuptoj që më duhet të bëj diçka për të zbutur stresin me të cilin ata përballen."

Kleriku Gray argumenton në një libër të ri që kisha duhet të jetë pjesë e debatit për fleksibilitetin në vendet e punës. Ai thotë se e ardhmja e kishave si kjo varet nga familjet e reja. Mosha mesatare e anëtarëve të kësaj kishe është 61 vjeç.

"Pra, nëse kisha do të kërkojë të tërheqë familjet e reja, asaj i duhet të kuptojë më mirë çekuilibrin midis punës dhe jetës që ato luftojnë."

Kjo kishë është realiste përsa u përket kërkesave ndaj vullnetarëve të saj, thotë anëtarja e këshillit dretues Ginger Essink.

"Ajo që po përpiqemi të bëjmë – dhe unë flas si organizatore në terren dhe si një anëtare e këshillit drejtues – është të ndihmojmë që njerëzit të gjejnë pak kohë për t’ia kushtuar kishës, për shembull një orë apo dy orë të dielën në mëngjes. Kjo do të ishte një mënyrë që ata të mund të ndjehen pjesëmarrës dhe të njohin më shumë komunitetin. "

Deanna Troust thotë se Kisha është një nga vendet ku ajo i kushton kohë vetes.

"Në një moment kuptova që bëhej fjalë vetëm për një orë gjatë të cilës unë mund të shkoj e të ulem, dhe atje ofrojnë edhe kujdestari për fëmijët."

Pra, sfida për kishat amerikane është që për prindërit tepër të zënë të bëhen një vend ku të gjejnë pak qetësi, në vend që të jenë një barrë më tepër.
XS
SM
MD
LG