Lidhje

Kisha Katolike lumtëron Papa Gjon Palin e Dytë

  • Xherom Sokolovski

Kisha Katolike lumtëron Papa Gjon Palin e Dytë

Kisha Katolike lumtëron Papa Gjon Palin e Dytë

Kisha Katolike lumtëron më 1 maj 2011 në Romë Papa Gjon Palin e Dytë. Ceremonia është një hap i rëndësishëm drejt shenjtërimit të një prej papëve më popullorë në histori. Gjatë 26 vjetëve si kreu i Kishës Katolike, Papa Gjon Palit të Dytë i jepet merita se ndihmoi në rrëzimin e komunizmit, aktivizimin e të rinjve katolikë dhe shtimin e pranisë së kishës në vendet në zhvillim.

Grumbulli i njerzëve të mbledhur në varrimin e Popa Gjon Palit të Dytë thërriste: Shenjtërim të menjëhershëm!

Dhe pasardhësi i tij, Papa Benedikti e përshpejtoi procesin e kanonizimit. Në vend që ta vazhdojë këtë proces për shekuj, Kisha Katolike do të ndërmarrë hapin e fundit të madh para shenjtërimit, duke lumtëruar Papa Gjon Palin vetëm 6 vjet e 29 ditë pas vdekjes, edhe më shpejt se sa lumtërimi i shenjtores, Nënë Tereza.

Monsinjnor Walter Rosi e takoi Papa Gjon Palin në vitin 1997 dhe i dha atij kapuçin papal.

"Ekziston një traditë që nëse i jep Papës kapuçin papal, ai duhet të heqë kapuçin që ka në kokë dhe të vëjë kapuçin që i jepet".

Monsinjnor Rosi thotë se Papa dukej si i shenjtë që kur ishte gjallë.

"Në lëvizjet dhe veprimet e tij shikoje një njeri me besim të madh fetar, me besim në vetvete, një njeri plot respekt dhe shenjtëri. Dhe tani kisha po thotë se ky ishte me të vërtetë një njeri i shenjtë dhe duhet lumtëruar".

Monsinjnor Rosi është rektor i Basilikës së Uashingtonit, kisha më e madhe katolike në Amerikën e Veriut.

Papa Gjon Pali i Dytë ishte papa i parë në fron që vizitoi këtë tempull kombëtar, madje u fal në këtë kishë, që i është dedikuar Madonës polake.

Papa i lindur në Poloni bëri 104 udhëtime nëpër botë, më shumë se çdo papë tjetër në histori. Ai gjithashtu fali personin që u përpoq ta vriste atë në vitin 1981.

Chester Gillis, profesor i teologjisë në Universitetin Georgetown, që ka shkruar rreth papës, thotë se lumtërimi i Papa Gjon Palit të Dytë do të jetë diçka pozitive për kishën.

"Ky proces do të përmirësojë imazhin e kishës, i cili është dëmtuar në fusha të tjera, veçanërisht nga skandali i abuzimit seksual, që ka marrë një publicitet negativ shumë të madh".

Kundërshtarët e lumtërimit besojnë se Papa mund të ketë luajtur rol në mbulimin e abuzimit seksual të fëmijëve nga priftërinjtë. Kritikë të tjerë mendojnë se ai ishte tepër pozitiv ndaj zakoneve indigjene.

Por miliona dashamirës të Papa Gjon Palit janë të gëzuar rreth lumtërimit të një njeriu, që tërhoqi të rinjtë në fenë katolike, si Sarah Vabulas, komentatore në internet për fenë katolike.

"Mendoj se shumë prej ankesave rreth shenjtërimit kanë të bëjnë me faktin se është një proces i vjetëruar. Si mund ta lidhësh veten me të shenjtët? Ata nuk jetuan me teknologjinë e sotme apo me vështirësitë, që ne përjetuam në shekullin e 20-të. Por Papa Gjon Pali i Dytë jetoi në kohërat tona dhe të lumtërohet nga Kisha është diçka absolutisht e mrekullueshme".

Një pjesëmarrje e madhe pritet nesër me rastin e lumtërimit në sheshin e Shën Pjetrit në Romë. Festime të tjera do të zhvillohen në kisha të tjera katolike në gjithë botën, përfshirë edhe Basilikën e Uashingtonit.

XS
SM
MD
LG