Lidhje

Klasa e mesme në Afrikë, burim i mundshëm stabiliteti politik


Klasa e mesme në Afrikë, burim i mundshëm stabiliteti politik
Klasa e mesme në Afrikë, burim i mundshëm stabiliteti politik

Klasa e mesme ka qenë në ballë të kërkesave për ndryshime politike në Tunizi dhe Egjipt. Tani, rritja e klasës së mesme përtej jugut të Saharës paraqet sfida për qeveritë atje, si dhe një burim të mundshëm të stabilitetit politik.

Turbullirat politike në Afrikën e Veriut po shkaktohen pjesërisht nga rritja e klasës së mesme, e cila dëshiron rol më të madh në mënyrën e drejtimit të vendeve.

Ky është një mesazh që po dëgjohet në fushatat politike përtej jugut të Saharës. Ish-kreu i agjencisë kundër korrupsionit, Nuhu Ribadu, po kandidon për president të Nigerisë. Ai thotë se në kryengritjet në Egjipt, Tunizi dhe Algjeri po paraqitet një brez i ri që nuk pranon shtypjen ekonomike.

“Ata po i japin fund dekadave të shtypjes dhe formave të dështuara të qeverisjes, politikave dhe ideve të dështuara. Duke shfaqur në mënyrë të mrekullueshme fuqinë njerëzore, këta të rinj e të reja janë duke kërkuar negociata dhe sigurimin e demokracisë nëpërmjet slloganit për ndryshime.”

Në mbarë botën, klasa e mesme apo shtresa e konsumit konsiderohet se përfshin familjet me shpenzimet e përditshme mes 10 dhe 100 dollarë për person. Këto para në përgjithësi janë burim i stabilitetit politik meqë investohen në rritjen e vazhdueshme të ekonomisë së vendit.

Mirëpo, stabiliteti varet nga niveli i lirive ekonomike. Rejmond Gilpin është drejtor i Qendrës së Novacioneve për Ekonomitë e Qëndrueshme pranë Institutit Amerikan të Paqes.

“Në rastin e Egjiptit, për shembull, klasa e mesme u rrit në një ekonomi politike ku pushteti politik dhe ekonomik si dhe siguria e vendit ishin në duart e një pakice. Kjo e bëri të vështirë për klasën e mesme në zhvillim, veçanërisht gjatë pesë vjetëve të fundit, që të ndjente se po përfitonte nga begatia e arritur.”

Zoti Gilpin thotë se Egjipti është shumë ndryshe nga rasti i Ganës, ku një shtresë e mesme e fortë po i kërkon qeverisë të investojë përfitimet e reja në infrastrukturë.

“Klasa e mesme ka qenë shumë e efektshme në pjesëmarrjen politike. Ajo ka zotëruar gjithashtu jo vetëm vende pune, por edhe pasuri. Kjo gjendje është shumë më e qëndrueshme dhe mundëson më shumë stabilitet.”

Në Marok, shtimi i vazhdueshëm i të ardhurave për frymë ka shtuar klasën e mesme nga 40 për qind në më shumë se 50 për qind të popullsisë gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Ministri i Ekonomisë Nizar Baraka thotë se mundësitë ekonomike janë po aq të rëndësishme sa edhe pasuria.

“Klasa e mesme nuk duhet lidhur thjeshtë me të ardhurat. Ne mendojmë se gjëja më e rëndësishme është përfshirja në klasën e mesme, sepse kjo do të thotë se ne kemi shpresë për një jetë më të mirë dhe për një të ardhme më të mirë për popullit tonë.”

Gjatë 20 vjetëve të ardhshëm, Banka Botërore vlerëson se 43 milionë afrikanë të nën Saharës do të bëjnë pjesë në klasën e mesme, kryesisht në ekonomitë në rritje, si Afrika e Jugut, Zambia, Nigeria, Kenia dhe Gana.

Zoti Gilpin thotë se një elektorat më i arsimuar dhe më i pasur në përgjithësi është më i vështirë për t’u manipuluar politikisht dhe më vigjilent në lidhje me financat publike.

“Njerëzit në klasën e mesme, ndërsa rrisin ndikimin dhe pasurinë, dëshirojnë të sigurojnë pjesëmarrje politike me qëllim që të luajnë rol në mënyrën sesi shpenzohen paratë e taksave të tyre ose që të luajnë rol rreth drejtimit të vendit.”

Kjo ushtron trysni mbi politikanët që të jenë më të përgjegjshëm.

Veprimtari shoqëror Taufik Abdallah Ben thotë se rritja e klasës së mesme, si një forcë për ndryshime politike në Afrikë, është një paralajmërim për të gjithë udhëheqësit e regjimeve shtypëse.

“Forcat që shtypin popullin nuk veprojnë në mënyrë logjike. Pas mbështetjes që shpesh i kanë dhënë diktaturave, institucionet dhe bashkësia ndërkombëtare tani duhet të kuptojnë se zgjedhja e përparësisë së sigurisë ndaj demokracisë është e gabuar.”

XS
SM
MD
LG