Lidhje

Debate të forta mbi rolin e KLD-së


Në Shqipëri thellohen më tej akuzat reciproke mes Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe shumicës qeverisëse, pas vendimit të KLD-së për të mos shkarkuar disa gjyqtarë të denoncuar për fshehje të pasurisë. Nënkryetari i KLD-së Elvis Cefa i cilësoi sot tërësisht politike, deklaratat e djeshme të ministrit të Drejtësisë Nasip Naco sipas të cilit gjyqtarët janë kthyer në një rrjet që mbrojnë njëri tjetrin. Në mbështetje të zotit Naco u reshtuan sot edhe Partia socialiste dhe Lëvizja socialiste për Integrim. Ndërkohë që Partia demokratike foli për një përpjekje të shumicës për të vënë nën kontroll drejtësinë.

Ka qenë një ditë e ngarkuar sot me deklarat dhe sulme reciproke, lidhur me vendimin e dy ditëve më parë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të refuzuar kërkesën për shkarkimin e disa gjyqtarëve të denoncuara nga Inspektoriati i Verifikimit të pasurive për fshehje të të ardhurave prej dhjetra e qindra mijëra eurosh. Debatet e nxehta kanë ndarë qartë dy blloqe, në njërën anë është qeveria dhe shumica në pushtet, e në anën tjetër KLD-ja, në krah të së cilës u rreshtua sot edhe partia demokratike.

Dje ministri i Drejtësisë Nasip Naco, foli me tone të ashpra duke u shprehur se nëse ka korrupsion në sistemin e drejtësisë, ky korrupsion ka fytyrën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë tha ai. KLD-ja reagoi që dje, ndërkohë që sot të njejtin qëndrim përforcoi edhe nënkryetari i saj Elvis Cefa i cili tha se ishin “të shokuar nga deklaratat thellësisht politike të Ministrit të Drejtësisë. Unë personalisht e prisja një reagim të tillë, pas paaftësisë të theksuar të Ministrit për të provuar ligjërisht pretendimet e tij para Këshillit, sigurisht edhe atij do t’i duhej një justifikim përballë eprorëve të tij. Justifikim më të mirë se sulmi që të gjithë e pamë, sulm i paprecedent në fakt ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të gjithë sistemit të drejtësisë, i cili u quajt “Sude” nga Ministri i Drejtësisë pa asnjë përjashtim, e vërtetoi më së miri këtë”.

Por nga ana e tyre edhe socialistët thanë se ishin të skandalizuar nga vendimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe reagimi i këtij Këshilli ndaj ministrit Naco. ”Një reagim që përforcoi edhe njëherë akuzën tonë se sistemi i drejtësisë po kthehet çdo ditë e më shumë në një rrjet ku bëjnë pjesë gjyqtarë kryekëput të korruptuar, që nuk punojnë për të vendosur drejtësi, por punojnë vetëm e vetëm për tu pasuruar vetë në kurriz të shqiptarëve. Një rrjet gjyqtarësh të korruptuar që po kthehen në një sekt, që bëjnë gjithçka për të mbrojtur e shpëtuar njëri-tjetrin nga zullumet korruptive ku janë zhytur”, deklaroi deputeti socialist Blendi Klosi.

Në të njejtën linjë me socialistët edhe aleati i tyre Lëvizja socialiste për Integrim e cila foli për një situatë të papranueshme dhe të patolerueshme në KLD: “Sot pa frikë mund ta themi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë është 100 % i rreshtuar në favor të korrupsionit në gjyqësor, është i rreshtuar një favor të paaftësisë që drejton sot gjykatat shqiptare, është në një kurs të theksuar anti-reformë, që shkon ndesh krejtësisht, jo thjesht më me perceptimin, por me një realitet politik dhe përfaqësues që ekziston në Shqipëri”, u shpreh nënkryetari Ylli Manjani.

Akuzat e qeverisë dhe përfaqësuesve të shumicës ndaj KLD-së, partia demokratike i quajti sot përpjekje për të vënë nën sqetull Drejtësinë: “Qeveria dhe të gjithë ata që rreshtohen në llogore me të i kanë hyrë fushatës së sulmit ndaj Drejtësisë dhe kërkojnë ta fusin Drejtësinë nën kontroll, sepse zyrtarët e saj janë përfshirë kokë e këmbë në korrupsion, janë pjesë e krimit të organizuar dhe bandave kriminale.E do qeveria drejtësinë nën kontroll, se do ta bëjë gjumin e qetë për emerimet kriminale të bëra në administratwn e vendit, ku banditët e dalë nga burgu i veshën me kollaren e pushtetit dhe i emëruan në postet drejtuese që qeverisin vendin”, deklaroi deputeti i PD, Eduard Halimi.

Debati mbi Këshillin e Lartë të Drejtësisë duket se do të vazhdojë gjatë. Socialistët dhe LSI-ja mbështetën sot kërkesën e ministrit të Drejtësisë për një ndërhyrje të parlamentit lidhur me anëtarët e Këshillit të propozuar prej tij, ndërkohë që reforma e paralajmëruar në Drejtësi duket se nuk do të lërë pa prekur KLD-në.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG