Lidhje

Presidenti Nishani ankohet në Gjykatën Kushtetuese


Nishani

Nishani

Presidenti Nishani theksoi se zgjedhja e çdo anëtari të KLD-së për nënkryetar është një e drejtë, që atij ia jep Kushtetuta.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i kërkoi sot Gjykatës Kushtetutese që të shfuqizojë në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë nenin e sapomiratuar nga shumica socialiste, që e kufizon presidentin të zgjedhë nënkryetar të KLD-së një prej dy anëtarëve që zgjidhen nga parlamenti. Këto ndryshime në ligjin për KLD-në presidenti i ktheu në parlament për rishqyrtim, por shumica e majtë i miratoi përsëri në fillim të shtatorit, duke ia kufizuar presidentit kompetencën për të zgjedhur nënkryetarin e KLD-së.

Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese presidenti Nishani theksoi se zgjedhja e çdo anëtari të KLD-së për nënkryetar është një e drejtë që atij ia jep Kushtetuta. Nga ana tjetër, duke u kufizuar vetëm tek dy emrat që vijnë nga parlamenti, u hiqet e drejta që ua ka dhënë Kushtetuta për t'u zgjedhur nënkryetar të KLD-së atyre anëtarëve që vijnë nga radhët e sistemit gjyqësor.

Presidenti thotë se ligji është antikushtetues, sepse bie ndesh me Kushtetutën, e cila i lë atij dorë të lirë nëse nënkryetarin e zgjedh nga radhët e përfaqësuesve të drejtësisë apo nga ata të parlamentit. Kushtetuta thotë thjesht se KLD zgjedh nënkryetar një prej antarëve të vet me propozim të presidentit.

Reforma e sistemit të drejtësisë e sapomiratuar nga shumica e majtë hasi kundërshtimin e menjëhershëm të opozitës. Edhe pse deputetët e Partisë Demokratike nuk marrin pjesë prej disa javësh në punimet e parlamentit, ata paditën në Gjykatën Kushtetuese paketën e ndryshimeve ligjore për reformën në drejtësi, duke i cilësuar antikushtetuese.

Opozita paditi në Gjykatën Kushtetuese padi për tre ligjet e paketës së drejtësisë; ligjin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndryshime në ligjin për funksionimin e Gjykatave Administrative dhe ndryshime në ligjin për Shkollën e Magjistraturës. “Të tre këto ligje kanë një përmbajtje të thellë antikushtetuese, prekin parimet e ndarjes së pushteteve, prekin parimin e funskionimit të shtetit ligjor dhe kanë për synim kapjen politike të sistemit të drejtësisë” - tha zoti Halimi.

Duke dalë nga Gjykata Kushtetuese Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, deklaroi sot se shumica socialiste po e detyron të zgjedhë nënkryetar KLD-je një person nga lista e kryeministrit. Po ashtu kryeministri merr kompetenca në caktimin e ndihmës-gjyqtarëve zyrtarëve të gjykatës administrative me të cilët është në konflikt interesi dhe në kundërshtim flagrant me kushtetutën. Ndërsa me ligjin e tretë kryeministri merr kompetencën për të zgjedhur drejtorin e shkollës së magjistraturës, duke ia marrë këtë të drejtë Presidentit dhe KLD-së.

Opozita i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që të pezullojë menjëherë këto 3 ligje, që jo vetëm nuk janë reformë në drejtësi, por shkelin hapur pavarësinë e saj nga pushteti ekzekutiv, duke e vendosur të tërësisht në kontroll të qeverisë. Shumica socialiste u angazhua që këtë sezon në arlament do të kryente një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë. Ajo rrëzoi dekretet e presidentit, që kërkoi rishikimin e hapave të hedhur, ndërsa opozita mungon rregullisht nëpër seancat plenare.

Një grup deputetësh socialistë kërkuan disa ditë më parë largimin nga KLD-ja të nënkryetarit dhe një anëtari, për t'i hapur rrugën ardhjes së dy anëtarëve të rinj nga parlamenti, njëri prej të cilëve duhet të zgjidhet nënkryetar, sipas ligjit të ri. Por presidenti i kërkoi Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e nenit 7 të ligjit të ri për KLD-në dhe pezullimin e veprimeve që mund të ndërmerren deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG