Lidhje

Humoristi slloven satirizon Putinin


Humoristi slloven Klemen Slakonja ka arritur famë ndërkombëtare me videon e tij të re ku satirizon presidentin rus Vladimir Putin. Një javë pasi e ngarkoi videon në YouTube, ajo është parë afro 3 milionë herë.

Në video Slakonja prezantohet si Putini duke deklaruar se gjithçka është në dorën e tij dhe duke paralajmëruar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian “mos të ngatërrohen me mua” pasi “nuk do asnjeri të plasë Lufta III Botërore”. Ai thotë në klip se plani kryesor është “ta bëj Mëmën Rusi përsëri numër një”.

Në rolin e Putinit në video, ai godet me grusht një personazh që i ngjet Jackie Chanit, kalëron i zhveshur nga mesi e sipër dhe mund disa rivalë në shah.

“Vendosa ta financoj vetë realizimin e videos “Putin Putout”. Disa nga bashkë-realizuesit e regjistruan videon falas, pra ma bënë më të lehtë. Pastaj më ftuan si prezantues të spektaklit EMA, nata finale e festivalit të këngës në Slloveni. Më vajti në mendje se kënga e Putinit do të ishte shumë e përshtatshme në këtë spektakël,” thotë humoristi.

Klipi i ka sjellë famë të menjëhershme sllovenit 30-vjeçar. Ai vetë thotë se kënga nuk është shkruar si ofezë.

“Desha të mbaj një qëndrim disi në mes, ku njerëzit të nxjerrin interpretime të ndryshme të vargjeve dhe të video-klipit. Nuk dua që njerëzit të zihen për shkak të videos, dua që të bashkohen. Njerëzit që e duan personazhin që portretizoj të duan edhe videon dhe njerëzit që e urrejnë personazhin që portretizoj të duan videon, gjithashtu. Pra ideja ishte që t’i lidhja njerëzit me njëri-tjetrin”.

Thumbave të Slakonjës nuk i ka shpëtuar as Papa Françesku, të cilin ai e satirizoi në një video-klip të realizuar në 2013, por që po merr famë vetëm tani pas këngës për Putinin.

Humoristi Klemen Slakonja thotë se ka në plan të satirizojë edhe kandidatin presidencial amerikan Donald Trump dhe kancelaren gjermane Angela Merkel, por se për momentin nuk ka fonde për këto projekte. Videoja e re dhe fama që i ka sjellë kënga duhet ta ndihmojnë të sigurojë sponsorë për të realizuar projekte të tjera.

XS
SM
MD
LG