Lidhje

Udhëheqësit myslimanë amerikanë dënojnë dhunën


Udhëheqësit myslimanë amerikanë po dënojnë vrasjen e personelit diplomatik amerikan në Libi, sulmet në ambasadën amerikane në Egjipt, si dhe videon anti-islamike që me sa duket nxiti sulmet. Ata thonë se dhuna nuk është përgjigje ndaj kritikave të fesë së tyre.

Dhuna në Bengazi dhe Kajro ka tronditur amerikanët – duke përfshirë amerikanët myslimanë. Një grup udhëheqësish myslimanë amerikanë u bashkuan me klerikë të tjerë në mjediset e Shoqatës Kombëtare të Shtypit, në Uashington, për të dënuar vrasjen e ambasadorit amerikan Chris Stevens.

Imam Mohamed Majid është President i Shoqërisë Islamike të Amerikës së Veriut, me qendër në Indiana.

"Ne vajtojmë humbjen e një kampioni të lirisë."

Ambasadori Stevens u vra në konsullatën amerikane në Bengazi, gjatë protestave që u ndezën nga publikimi i një filmi, ku përqeshet profeti i Islamit, Muhamed. Zoti Majid thotë se filmi e ka ofenduar.

"Nuk është gabim të jemi të zemëruar, nuk është gabim të jemi të mërzitur, sepse ne e duam Profetin. Por mënyra se si duhet të përgjigjemi është mënyra profetike, mënyra e tij, nuk është mënyra e diktuar nga njerëz të tjerë, të cilët kërkojnë të na nxisin që të kryejmë dhunë, duke shtrembëruar kështu imazhin e profetit tonë edhe më tepër."

Filmi ofendoi gjithashtu rabinin David Saperstein, drejtor i Qendrës së Veprimit Fetar të Judaizmit të Reformuar.

"Ishte realizuar për të fyer, për të tallur, për të denigruar, për të përqeshur fenë në një mënyrë, që duhet të ishte e qartë për autorët se kishte të ngjarë të nxiste dhunë. Për më tepër filmi u publikua në një moment të veçantë, në 11 shtator, dhe ky veprim është shumë i neveritshëm."

Protesta të ngjashme ka patur dhe më parë. Në vitin 2008, në Indonezi, dhuna shpërtheu si përgjigje ndaj një filmi të një politikani holandez që sulmoi librin e shenjtë të Islamit, Kuranin.

Haris Tarin është Drejtor për Uashingtonin i Këshillit të Çështjeve Publike Myslimane, një grup që promovon integrimin e myslimanëve në shoqërinë amerikane. Ai thotë se ekziston një grup i vogël, por i përkushtuar, i shoqërisë amerikane që është duke u përpjekur të diskretitojë Islamin.

"Ata nuk janë duke u përpjekur të nxisin mirëkuptim, marrëdhënie më të mira, demokraci. Ata përçmojnë, nxisin urrejtje dhe përpiqen të izolojnë komunitetet amerikane myslimane, si dhe dëmtojnë marrëdhëniet midis SHBA-së dhe vendeve me shumicë myslimane."

Tarin thotë se trazirat në Libi dhe Egjipt u nxitën nga filmi, por, shton ai, protestuesit e kanë gabim nëse mendojnë se Amerika është anti-myslimane.

"Mesazhi i fundit që dua t’u dërgoj vëllezërve tanë në botën myslimane është se myslimanët në Amerikë janë një komunitet me gjallëri që gëzon lirinë fetare në maksimumin e saj."

Këta udhëheqës fetarë thonë se ky nuk është një konflikt midis Islamit dhe Amerikës, por mes grupeve ekstremiste që duan të nxisin një konflikt të tillë.
XS
SM
MD
LG