Lidhje

Klima mund të ndikojë tek konfliktet e dhunshme shoqërore


Klima mund të ndikojë tek konfliktet e dhunshme shoqërore
Klima mund të ndikojë tek konfliktet e dhunshme shoqërore

A varet fati i qytetërimit tek klima? A ndihmuan uria dhe tharja e luginës së Nilit në përmbysjen e perandorisë egjiptiane në vitin 2200 para Krishtit? A e përshpejtoi thatësira ekstreme rënien e perandorisë majane në vitin 800 të erës sonë? Dhe a u shkaktuan ndryshimet në sundimin e dinastive kineze prej cikleve të ftohta në periudhën 1000 deri në 1900 të erës sonë? Në se klima luajti rol në këto ndryshime në kohërat e lashta, a mund të ndodhë e njëjta gjë sot? Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Rosanne Skirble, një studim i ri në revistën Nature le të kuptohet se klima mbetet një katalizator i rëndësishëm për konfliktet në botë.

Autorët e studimit u përqëndruan në ciklin klimatik El Ninjo, një ngrohje periodike e ujrave të Paqësorit, që ndodh çdo 3 deri 5 vjet, që alternon me periudha të ftohta të njohura si La Ninja. Studjuesit patën parasysh rreth 234 konflikte në 175 vende të Afrikës, Lindjes së Mesme, Azisë jug-lindore, Paqësorit jugor dhe kontinetit amerikan. Gjysma e këtyre konflikteve shkaktuan më shumë se 1 mijë vdekje të lidhura me luftrat.

Autori dhe studiuesi i Universitetit Princeton, Solomon Shang thotë se ky studim është i pari që dokumenton lidhjet mes klimës dhe konfliktit shoqëror në shkallë globale në kohët moderne.

“Ne studiuam të dhënat që nga viti 1950 dhe arritëm në përfundimin se 20 përqind e konflikteve civile u ndikuan nga cikli El Ninjo”.

Zoti Shang thotë se kjo shifër është sa dyfishi i konflikteve gjatë viteve të ciklit La Ninja.

“Nuk parashikonim që ndikimi i klimës të ishte kaq i madh, madje mësuam se klima jo vetëm që ndikon tek konflikti, por është një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e modeleve globale të dhunës”.

Studimi, thotë zoti Shang, nuk sugjeron se vetëm klima nxit luftën, por bashkë me faktorë të tjerë, klima mund t’i japë konfliktit grushtin e fundit.

“Duhet të mos harrojmë se situatat politike e shoqërore si dhe kushtet ekonomike janë shumë të rëndësishme për nxitjen e dhunës së organizuar. Por ne kemi arritur në përfundimin se këta faktorë të kombinuar me ndryshimet globale duket se shtojnë mundësitë për dhunë shoqërore”.

Halvard Buhag është ekspert mbi çështjet e sigurimit dhe të klimës në Institutin Kërkimor të Paqes në Oslo të Norvegjisë. Ai thotë se lidhjet mes klimës dhe konfliktit të njoftuara në studimin e revistës Nature janë të besueshme. Por ai shton se nëse klima nxit dhunën, autorët nuk kanë shpjeguar arsyet.

“Ёshtë shumë e rëndësishme që të tregojmë se disponimi i ushqimeve dhe çmimet e tyre si dhe prodhimet bujqësore kanë lidhje sistematike me ciklet El Ninjo në zonat ku shikojmë konflikte. Nëse nuk jemi në gjendje të bëjmë lidhjen, mendoj se është tepër herët të pretendojmë se ekziston një lidhje e tillë”.

Solomon Shang është i dakord. Ai thotë se lidhjet e forta mes klimës dhe konfliktit meritojnë më shumë studime.

“Në fakt ne po kërkojmë më shumë të dhëna dhe po bëjmë më shumë studime për të parë se cilat janë mekanizmat bazë që sjellin këtë rezultat”.

Studjuesit thonë tani se mund të parashikojnë me shumë siguri ciklet El Ninjo ose La Ninja, që dy vjet përpara. Zoti Shang thotë se rezultatet mund të kenë ndikime të rëndësishme për shërbimet bujqësore dhe ato të ndihmave.

Ai mendon se ky informacion duhet të shqyrtohet me seriozitet, madje vë në dukje se studjuesit ishin në gjendje të parashikonin urine e tanishme në Bririn e Afrikës që para dy vjetësh, por atje nuk arriti ndihmë e mjaftueshme në kohë për të lehtësuar koston humane të krizës.

XS
SM
MD
LG