Lidhje

Pyjet zbusin efektet e ngrohjes globale


 Drought triggered this forest die-off in Argentina in 2004. Photo credit: Thomas Kitzberger
Drought triggered this forest die-off in Argentina in 2004. Photo credit: Thomas Kitzberger
Konferenca e ardhshme e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin e Klimës fillon më 26 nëntor në Doha të Katarit. Edhe këtë radhë negociatorët do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje të gjerë për temperaturat globale në rritje. Shpyllëzimi pritet të jetë një nga temat. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Joe de Capua njofton:

Ky është takimi i 18-ë i Kuvendit për Kornizën e OKB-së për Ndryshimin e Klimës. Deri tani 195 vende e kanë nënshkruar traktatin, por një marrëveshje përfundimtare për të frenuar ngrohjen e planetit nuk është materializuar.

Në vitin 1997, palët miratuan Protokollin e Kiotos që kishte si synim t’u vinte detyrime vendeve për të ulur në një nivel të caktuar sasinë e gazit të çliruar. Angazhimi fillestar i protokollit parashikonte që kjo periudhë të përfundonte këtë vit. Por vitin e kaluar, negociatorët ranë dakord ta zgjatnin me pesë ose tetë vjet. Kjo akoma nuk është vendosur.

Para takimit të javës së ardhshme, 60 ekspertë të Bashkimit Ndërkombëtar të Studimit të Organizatës së Pyjeve kanë nxjerrë një raport të ri për uljen e çlirimit të gazeve. Në raport thuhet se “marrëdhëniet mes biodiversitetit, karbonit, pyjeve dhe njerëzve janë të ndërlikuara dhe të ndërvarura”.

Po ashtu, shton raporti, “pakësimi i ritmit të shpyllëzimit dhe degradimit të pyjeve do të ndihmojë në frenimin e ngrohjes globale dhe ruajtjen e biodiversitetit”. Një nga autorët është John Parrotta, kreu i Komisionit të Ekspertëve për Biodiversitetin në Pyje. Ai thotë se ruajtja e pyjeve është jetike për zbutjen e efekteve të ndryshimit të klimës.

“Ato mund të thithin dioksidin e karbonit nga atmosfera. Dioksidi i karbonit dhe gaze të tjera që krijojnë efektin serrë kontribuojnë në ndryshimin e klimës. Ato ose mund t’i thithin, nëse rriten dhe zgjerohen, ose zonat pyjore mund të jenë burim dioksidi karboni dhe ta rëndojnë ndryshimin klimatik nëse siç po shohim në shumë pjesë të botës, pyjet zhduken, spastrohen ose prishen. Kështu pyjet janë në të vërtetë një pjesë shumë e rëndësishme në ndryshimimin e klimës".

Zoti Parrotta, shkencëtar me peshë në Shërbimin amerikan të Pyjeve, ka ndjekur ritmin e shpyllëzimit në gjithë botën.

“Ritmi i pakësimit të pyjeve në fakt po ngadalësohet, megjithatë në përgjithësi ka një humbje të sasisë së tokave pyjore në shkallë globale”.

Ekziston edhe dukuria e degradimit të pyjeve. Kjo nuk do të thotë humbje e sipërfaqes së tokës pyjore, megjithatë është rënie e cilësisë së ekosistemeve të pyjeve, përfshirë terrenin, bimësinë dhe botën e gjallë. Kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë tek ata njerëz, të cilët varen nga pyjet.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se popullsia e botës do të arrijë në 9 milardë deri në vitin 2050, duke rritur jashtëzakonisht kërkesën për ushqime. Si rezultat, shpyllëzimi do të përhapet, pasi më shumë drurë do të priten për t’i hapur rrugë bujqësisë. Raporti rekomandon praktika më të zgjuara bujqësore për të rritur rendimentin në tokat bujqësore ekzistuese.

Kur uragani Sandy goditi pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara, u rihapën debatet për efektet e ngrohjes globale. Kombet e Bashkuara kanë propozuar një mekanizëm për të mbrojtur pyjet dhe lehtësuar ndryshimet klimatike. OKB-ja thotë se ky mekanizëm mbështetet tek ekspertiza teknike e Organizatës për Ushqimin dhe Bujqësinë, Programi i OKB-së për Zhvillimin dhe ai i Ambjentit. Një nga objektivat është që banorët vendas të zonave pyjore dhe komunitetet që varen nga këto toka të përfshihen në hartimin e politikave.

Raporti thotë se kritikët paralajmërojnë për një mungesë qartësie përsa u takon fondeve, si edhe “rreziqe mjedisore dhe sociale si edhe pabarazi të mundshme në disa aspekte të programit”. Zoti Parrotta thotë se ndërsa shpyllëzimi ka qenë në programin e ndryshimit të klimës, tani ka ardhur koha për veprim.

“Sa më shpejt aq më mire. Sa më shumë të rritet prirja e niveleve të dioksidit të karbonit në atmosferë dhe kushtet në pyje të vazhdojnë të keqësohen, aq më e vështirë do të jetë të zmbrapsen këto prirje”.

Konferenca për Ndryshimet Klimatike mbahet në Doha nga 26 nëntori deri më 7 dhjetor.
XS
SM
MD
LG