Lidhje

Hapa të reja drejt një traktati të ri për klimën


Si autoriteti botëror për ngrohjen globale, Komisioni Ndërqeveritar për Ndryshimet e Klimës ka nxjerrë një studim për ndikimin e ngrohjes globale që nga viti 1990. Raporti i fundit publikohet të premten më 27 shtator. Ndërkohë që shkenca për ndryshimin e klimës ka ecur me hapa të sigurt përpara gjatë dy dekadave të fundit dhe shkencëtarët janë më të sigurt se kurrë se planeti po ngrohet dhe njerëzimi është fajtor për këtë, vendet e ndryshme nuk kanë bërë hapa aq të shpejtë për të ngadalësuar këtë prirje.

Historia paraqet mësime për hartuesit e politikave lidhur me shkencën, thotë K.John Holmes, analisti i Këshillit Kombëtar të Studimeve për energjinë. Në një artikull në revistën Nature ai përmend veçanërisht gjeologun dhe eksploratorin e shekullit të 19-të, Wesley Powell. Zoti Powell vlerësohet për inkurajimin e zhvillimit të qëndrueshëm në terrenin e thatë të Perëndimit Amerikan.

“Ai prezantoi idenë e vlerësimit të integruar të cështjeve të mëdha ambjentale”.

Plani i gjeologut Powell parashikonte studime të detajuara shkencore dhe nisma për të zhvilluar burimet ujore, tokësore dhe minerale. Zoti Holmes thotë se ndërsa kolonët shkuan drejt perëndimit, ato ide shkaktuan një debat intensive politik lidhur me qasjen tek burimet natyrore dhe përshtatjen e klimës.

“Megjithëse plani i tij nuk u zbatua kurrë, vlerësimi i tij bëri të mundur atë që agjencia amerikane për studimet gjeologjike, e quajti informacionin të pakundërshtueshëm, mbi të cilin komisionet e Kongresit dhe individët e interesuar mund të mbështesnin deklaratat dhe përfundimet e tyre”.

Por të dhënat nuk i dhanë fund debatit. Ligjet për të shpërndarë burimet, nuk hynë në fuqi për dekada me radhë. Zoti Holmes thotë se trashëgimia e Powellit na kujton rolin qendror që luan shkenca në marrjen e vendimeve, që reflektohet në raportet Komisionit Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës.

Këtë pikëpamje ka edhe Elliot Diringer i Qendrës për Zgjidhje për Klimën dhe Energjinë, një organizatë studimore dypartiake.

“Mendon se vlerësimet e këtij komisioni janë një mundësi kritike për të përqendruar vëmendjen globale të realitetit të problemit dge urgjencës për ta zgjidhur atë”.

Zoti Diringer thotë se trajtimi i ndryshimeve klimatike është realizuar në shkallë botërore përmes traktatit të ngrohjes globale të njohur si Protokolli i Kiotos. Kur afati i këtij protokolli skadoi, negociatorët ranë dakord që ta zëvendësojnë me një traktat të ri deri në vitin 2015. Zoti Diringer thotë se strategjia që po del në pah, është më funksionale dhe më gjithëpërfshirëse.

“Ndoshta nuk është aq rigoroze sa Protokolli i Kiotos, por më rigoroze sesa alternative që do të ishte thjesht një sistem bazuar në dëshirën e lirë. Në protokollin e Kiotos, kishte objektiva të detyrueshme vetëm për vendet e zhvilluara dhe jo angazhime të reja për vendet në zhvillim. Këtë herë kjo lloj strategjie nuk do të funksionojë. Nga të gjitha ekonomitë e mëdha do të pritet që të marrin masa”.

Zoti Diringer thotë se vendet do të hartojnë listën e vet të angazhimeve dhe do të pranojnë të jenë objekt i vëzhgimit, raportimeve të përhershme dhe kontrollit ndërkombëtar të rregullt për këto angazhime të vullnetshme.

Ndërsa negociatat për klimën vazhdojnë, po diskutohen disa marrëveshje. 90 vende u angazhuan në vitin 2009 që të pakësojnë çlirimin e gazeve të dëmshme, përfshirë për herë të parë ekonomitë më të mëdha të botës. Këto vende, përfaqësojnë 80 për qind të sasisë së gazeve të dëmshëm, premtimet e tyre nuk e kapin nivelin e duhur të pakësimit për të pakësuar ngrohjen globale”.

Por ato janë një fillim i ri për një traktat gjithëpërfshirës, thotë zoti Diringer.

“Shpresojmë që kështu të krijojmë një kuadër më të qëndruëshëm që të ndihmojë në ngritjen e nivelit të angazhimit, me kalimin e kohës”.

Në revistën Nature, zoti Diringer thotë se një marrëveshje e re, që do të ishte rezultat i këtyre përpjekjeve kombëtare, mund të forcojë besimin e ndërsjellë të këtyre vendeve, tek procesi dhe në aftësinë tonë të përbashkët për të përballuar sfidën e klimës.
XS
SM
MD
LG