Lidhje

Klinton: Është koha që Gadafi të largohet


Klinton: Është koha që Gadafi të largohet
Klinton: Është koha që Gadafi të largohet

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton thotë se udhëheqësi libian Moamar Gadafi duhet të mbahet përgjegjës për gjakderdhjen dhe aktet e dhunës kundër civilëve të paarmatosur. Gjatë një fjalimi para Këshillit të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara që përbëhet nga 47 vende, zonja Clinton akuzoi Gadafin dhe mbështetësit e tij se kanë përdorur mercenarë dhe banditë për të sulmuar civilët e paarmatosur.

Sekretarja e Shtetit Clinton zhvilloi një seri diskutimesh me miq dhe aleatë. Ajo tha për shtypin në Gjenevë se bisedimet synonin në mbajtjen përgjegjës të udhëheqësit libian dhe regjimin e tij për abuzim të drejtave të njeriut dhe dhunë kundër popullsisë së tyre. Zonja Clinton tha se ka patur reagime të shumta ndërkombëtare në mbështetje të popullit libian ndërkohë që ata vazhdojnë tranzicionin drejt demokracisë.

"Komuniteti ndërkombëtar ka folur me një zë, duke e thënë shumë qart se sulmet brutale të kolonel Gadafit ndaj popullit të tij janë të papranueshme dhe nuk do të tolerohen. Gadafi ka humbur legjitimitetin për të qeverisur dhe është koha që ai të largohet pa dhunë të mëtejshme dhe vonesa."

Një grup ministrash të jashtëm shtetesh që merrnin pjesë në takimin e Këshillit të Drejtave të Njeriut bëri thirrje për dhënien fund të dhunës në Libi. Ata dënuan taktikat brutale të përdorura nga Gadafi dhe ranë dakord se udhëheqësi libian duhet të largohet.

Zonja Clinton tha se qeveritë mund të marrin një numër veprimesh për të izoluar edhe më tej kolonel Gadafin. Ajo tha se Uashingtoni po konsideron caktimin e një zone ndalim fluturimi. Sekretarja e Shtetit tha se e kishte diskutuar këtë me aleatët dhe partnerët.

XS
SM
MD
LG