Lidhje

Klinton i bën thirrje qeverisë së Mubarakut të hyjë menjëherë në bisedime me protestuesit

  • Dejvid Gollast

Klinton i bën thirrje qeverisë së Mubarakut të hyjë menjëherë në bisedime me protestuesit

Klinton i bën thirrje qeverisë së Mubarakut të hyjë menjëherë në bisedime me protestuesit

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton i ka bërë thirrje qeverisë së Presidentit Hosni Mubarak t’i japë fund taktikave të dhunës kundër protestuesve dhe “të angazhohet menjëherë” me popullin egjiptian për kryerjen e reformave. Shtetasit amerikanë janë këshilluar të mos udhëtojnë në Egjipt, një nga destinacionet kryesore për turistët.

Deklaratat e sekretares Klinton në një konferencë shtypi me Zv/presidentin e Kolombisë, Angelino Garzon, ndryshuan pak në përmbajtje nga thirrjet e mëparëshme të Shteteve të Bashkuara që të gjitha palët të tregohen të përmbajtura dhe që autoritetet në Kajro t’u përgjigjen kërkesave për reforma.

Por u duk qartë se emergjenca ishte më e madhe, pasi pamjet televizive nga Kajroja që transmetohen në gjithë botën paraqesin taktika të ashpëra të forcave egjiptiane të sigurimit kundër demonstruesve, shumica të rinj që demonstrojnë në mënyrë paqësore.

"Këto protesta tregojnë qartë se ka pakënaqësi të thella në shoqërinë egjiptiane dhe qeveria duhet të kuptojë se dhuna nuk do t’i zhdukë ato. Siç tha të enjten Presidenti Obama, reforma është tejet kritike për mirëqënien e Egjiptit”.

Sekretarja e Shtetit u bëri gjithashtu thirrje autoriteteve të tërheqin vendimet e pashembullta për të prerë të gjitha linjat e komunikimit, përfshirë rrjetet e telefonisë celulare, shërbimin e Internetit dhe faqet sociale.

Megjithatë Zv/presidenti Xho Bajden, tha mbrëmë në një intervistë televizive se nuk ishte i mendimit që ka ardhur koha që Presidenti Mubarak të japër dorëheqjen. Por sekretarja Klinton nuk iu përgjegj drejtpërdrejt një pyetjeje të ngjashme që iu drejtua asaj.

Ajo tha se është “absolutisht jetësore” që qeveria e Kajros të përqafojë reformën, jo vetëm për stabilitetin e saj afatgjatë, por edhe për përparimin dhe begatinë që meriton populli egjiptian.

"Siç e kam thënë edhe më parë dhe siç e ka thënë edhe Presidenti Obama, qeveria egjiptiane ka një mundëri reale përballë kësaj demonstrate me kërkesa shumë të qarta të opozitës, të fillojë një proces që do t’i përgjigjet realisht aspiratave të popullit të Egjiptit. Ne mendojmë se ky moment duhet shfrytëzuar dhe ne shpresojmë se kështu po ndodh”.

Departamenti i Shtetit lëshoi dje një paralajmërim për udhëtimet në Egjipt, një pikë kryesore turistike, duke i këshilluar shtetasit amerikanë të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme në atë vend për momentin.

Në njoftim thuhet se megjithëqë demonstratat nuk drejtohen kundër perëndimorëve, shtetasit amerikanë që ndodhen në Egjipt duhet t’i shmangin ato dhe të jenë të kujdesshëm, për më tepër në mungesë të linjave të komunikimit.

XS
SM
MD
LG