Lidhje

Klinton, Lavrov: Ditët e Gadafit në pushtet janë të numëruara


Klinton, Lavrov: Ditët e Gadafit në pushtet janë të numëruara
Klinton, Lavrov: Ditët e Gadafit në pushtet janë të numëruara

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton, pas përfundimit të një dite plot bisedime politike mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Uashington, tha se dy fuqitë pajtohen që ditët e udhëheqësi libian Moamar Gadafi në pushtet janë të numëruara. Zonja Klinton dhe homologu i saj rus Sergei Lavrov nënshkruan disa marrëveshje, përfshirë atë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mbi adoptimet e fëmijëve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dejvid Gollast njofton nga Departamenti i Shtetit.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk kanë qenë dakort mbi çështjen e Libisë, dhe Moska abstenoi në votimin për rezolutën që autorizoi veprimet ushtarake në Libi, duke kritikuar nivelin e sulmeve ajrore të NATO-s.

Megjitatë, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zotin Lavrov, sekretarja Klinton e mirëpriti ndërmjetësimin rus me palët libiane, dhe tha se të dy vendet pajtohen që kriza duhet të përfundojë dhe zoti Gadafi duhet të largohet nga pushteti.

“Ne vazhdojmë të marrim njoftime kundërthënëse nga kampi i kolonel Gadafit. Ai ende nuk i ka përmbushur kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për të mos përdorur dhunën kundër popullit të tij, të tërheqë forcat dhe të largohet nga pushteti. Prandaj, megjithëse asnjëri nga ne nuk mund ta parashikojë me saktësi se kur do të largohet Gadafi nga pushteti, ne e kuptojmë dhe pajtohemi se ditët e tij janë të numëruara.”

Zoti Lavrov tha se procesi politik mes qeverisë së Tripolit dhe rebelëve me bazë në Bengazi duhet të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur për armëpushim dhe për negociimin e një marrëveshjeje, dhe tha se nuk ka mënyrë tjetër për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Ministri rus, përmes një përkthyesi, mbrojti gjithashtu refuzimin e qeverisë së tij për të mbështetur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që dënonte qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Asad për shtypjen vdekjeprurëse ndaj protestuesve.

“Ju shtroni pyetjen pse Rusia po bllokon rezolutën që dënon presidentin Asad. Por diplomacia nuk ekziston për të dënuar dhe për të shënuar pikë politike. Synimi ynë është zgjidhja e problemeve. Nëse vetëm i dënojmë njerëzit pa pasur zgjidhje, kjo nuk na çon askund.”

Zoti Lavrov tha se Rusia mbështeti një heqje me faza të sanskioneve kundër Iranit të lidhur me hapa nga Teherani për largimin e shqetësimeve ndërkombëtare mbi programin e tij bërthamor. Zonja Klinton tha se nuk e mbështet këtë ide, por tha se do të diskutohet më tutje në nivel ekspertësh.

Zonja Klinton dhe homologu i saj nënshkruan disa marrëveshje dypalëshe, mes të cilave edhe lehtësimi i regjimit të vizave dhe çështja e plutoniumit që mund të përdoret për armë të mbetur nga koha sovietike.

Ndër marrëveshjet më të rëndësishme ishte ajo që vendos rregullat për adoptimet mes dy vendeve, pas asaj që ndodhi vitin e kaluar kur një nënë amerikane që kishte adoptuar një fëmijë 7-vjeçar rus e ktheu atë vetëm me aeroplan në Moskë.

Zonja Klinton tha se rregullat më të rrepta të adoptimit do t’i mbrojnë fëmijët më shumë dhe trajton shqetësimet ruse të ngritura pas incidentit të vitit të kaluar.

“Të dy palët duam të njëjtat rezultate. Duam që të gjithë fëmijët, qoftë rusë apo amerikanë, të kenë mundësinë të gjejnë familje që i duan dhe kujdesen për ta. Dhe sigurisht që Shtetet e Bashkuara duan të sigurohen që t’i trajtojnë të gjitha shqetësimet e ngritura nga rusët, dhe besojmë se e kemi bërë këtë.”

Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, i cili u takua edhe me presidentin Obama dje më herët, tha se pavarësisht nga qëndrimet e ndryshme për disa çështje, cilësia e bashkëpunimit amerikano-rus është përmirësuar. Zonja Klinton përshëndeti ato që i quajti si hapa të mëdhenj në këtë marrëdhënie që kur zoti Obama filloi mandatin e tij para dy vjetësh e gjysëm.

XS
SM
MD
LG