Lidhje

Klinton: Ndihmat për luftimin e urisë duhet të parandalojnë krizat

  • Steve Baragona

Klinton: Ndihmat për luftimin e urisë duhet të parandalojnë krizat

Klinton: Ndihmat për luftimin e urisë duhet të parandalojnë krizat

Shtetet e Bashkuara kanë premtuar një fond shtesë prej 17 milionë dollërsh për të ndihmuar vendet e Afrikës Lindore të cilat po përballen me thatësira të rënda. Nga ky fond 12 milionë dollarë do t’i jepen Somalisë, ku dhjetëra mijëra njerëz kanë vdekur nga uria dhe sëmundjet. Në një fjalim të zhvilluar dje në Uashington, Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha se zgjidhja e problemit të urisë duhet të shihet përtej krizës së tanishme dhe se tani është koha të përqëndrohemi në zhvillimin e një plan që do të sigurojë që kjo krizë nuk të përsëritet.

Më shumë se dy milionë njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre në Somali në prag të thatësirës më të rëndë në shumë dekada.

Në një kamp pranë Mogadishut, kjo grua është një prej atyre që janë me fat pasi familja e saj i mbijetoi rrugëtimit të gjatë dhe të vështirë.

“Asnjë prej nesh nuk vdiq. Ne fermerë dhe merremi me blegtori. Kemi humbur të gjitha bagëtitë tona. Por fal zotit fëmijët tanë kanë shpëtuar”.

Bagëtitë e ngordhura, tharja e të lashtave dhe uria janë histori që ka përfshuirë gjithë brezat në vendet e Afrikës Lindore.

Kjo nuk është hera e parë që ky rajon goditet nga thatësirat dhe uria, tha Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillari Klinton.

“Një herë në disa dekada përsëritet cikli i thatësirave. Dhe është e lehtë të dorëzohemi dhe t’i hedhim fajin forcave që janë jashtë kontrollit tonë. Por këto cikle nuk janë të paevitueshme”.

Zonja Klinton tha se bota ka njohuritë, mjetet dhe burimet për ta luftuar urinë, nëse ekziston vullneti për ta bërë këtë.

“Tani kur efektet e sigurisë ushqimore janë më ekstreme, ne duhet të përkushtohemi në thyerjen e këtij cikli”.

Duke folur në Institutin për Studimin e Politikave Ndërkombëtare të Ushqimit, sekretarja Klinton tha se fqinjët Kenia Somalia dhe Etiopia janë më mirë sot se në thatësira e mëparshme, sepse ata kanë investuar në fermerët e vegjël dhe në blegëtori. Programi i rrjeti të sigurisë sociale në Etiopi i vë njerëzit të punojnë në projekte që përmirësojnë sigurinë e ushqimit.
Por kritikët thonë se ky program i ka bërë shumë njerëz të varen nga ndihmat ushqimore. Dhe analist politik etiopian Jawar Mohammed thotë se ky program është bërë gjithashtu një mjet politik.

“Qeveria e përdorë këtë rrjet të shpërndarjes së ndihmave ushqimore për t’i detyruar njerëzit që të bëhen anëtarë dhe mbështetës të partisë në pushtet”.

Por, për vendet që angazhohen për t’i ndihmuar fermerët dhe blegëtorët për të përmirësuar sigurinë ushqimore, Shtetet e Bashkuara kanë premtuar ndihmë financiare që kap vlerën e 3,5 miliardë dollarëve. Kenia dhe Etiopia tashmë kanë filluar të marrin ndihmë nga ky program. Sekretarja Klinton u bëri thirrje vendeve të tjera donatore t’i mbajnë premtimet që kanë bërë për të ndihmuar zhvillimin dhe rritjen e sigurisë ushqimore botërore. Përndryshe, shtoi ajo, bota së shpejti mund të përballet me një krizë tjetër në Afrikën Lindore.

XS
SM
MD
LG