Lidhje

Klinton dhe Netaniahu diskutojnë procesin e paqes në Lindjen e Mesme


Klinton dhe Netaniahu diskutojnë procesin e paqes në Lindjen e Mesme
Klinton dhe Netaniahu diskutojnë procesin e paqes në Lindjen e Mesme

Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton dhe Kryeministri i Izraelit Beniamin Netaniahu ndodhen në Nju Jork në përpjekje për të rigjallëruar procesin e ngecur të paqes në Lindjen e Mesme. Para takimit të tyre dje, zonja Klinton tha se të dy funksionarët do të diskutonin për “gjithçka”. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ravi Khana, na sjell hollësi.

Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton u takua me Kryeministrin e Izraelit Beniamin Netaniahu ndërkohë që marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit janë tensionuar lidhur me rigjallërimin e bisedimeve të paqes.

Bisedimet rifilluan në muajin shtator, por palestinezët i pezulluan ato brenda tri javësh kur zoti Netaniahu refuzoi të shtynte afatin e pezullimit të ndërtimit të vendbanimeve izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor. Zonja Klinton bëri komente evazive rreth pezullimit të negociatave.

"Unë e di dhe e kam thënë disa herë se Kryeministri dhe Presidenti Abaz janë që të dy shumë të angazhuar për zgjidhjen me dy shtete dhe ne do ta gjejmë rrugën për të ecur përpara”.

Kryeministri Netaniahu tha se po përpiqet të gjejë mënyra për të arriur një “marrëveshje historike”, por nuk i trajtoi me hollësi çështjet që po diskutohen.

"Ne kemi zhvilluar bisedime dhe do të diskutojmë përsëri sot rreth mënyrës si t’i rifillojmë ato dhe të vazhdojmë këtë proces për të filluar me një marrëveshje për paqen dhe siguriinë mes nesh dhe palestinezëve”.

Njoftimi i Izraelit të hënën për ndërtimin e 1300 shtëpive të reja në Jeruzalemin Lindor u bë shkak për komente të ashpra më parë. Presidenti Obama tha këtë nga Indonezia:

"Ky lloj aktiviteti nuk është asnjëherë i dobishëm kur është fjala për negociatat e paqes”.

Analisti i Institutit Brukings Martin Indajk thotë se zoti Netaniahu ka përballë një vendim të vështirë për marrëveshjen e paqes me palestinezët dhe se ai mund të ketë pasoja të rënda për koalicionin e tij qeverisës. Indajk thotë se Izraeli dhe palestinezët duhet të bien së pari dakord për kufijtë e shtetit palestinez.

"Nëse nuk gjejmë një mënyrë për të dalë nga kjo situatë lidhur me ndërtimin e vendbanimeve dhe të përqendrohemi në një tjetër aforizëm të thjeshtë si çështja e kufijve që ka të bëjë me dy shtete e me dy popuj, atëhere do të na duhet të merremi me çështjet e sigurisë”.

Duke folur në Ramallah, Pesidenti palestinez Mahmud Abaz la të kuptohet se ku duhet të jetë një pjesë e atij kufiri. Ai tha se Jeruzalemi si kryeqyteti i shtetit palestinez është një çështje e padiskutueshme.

XS
SM
MD
LG