Lidhje

Klinton: SHBA dhe BE, të përkushtuara për të dhënë ndihmën e tyre në dialogun Prishtinë-Beograd

  • Bardha Shpuza-Azari
  • Uashington

Klinton: SHBA dhe BE, të përkushtuara për të dhënë ndihmën e tyre në dialogun Prishtinë-Beograd

Klinton: SHBA dhe BE, të përkushtuara për të dhënë ndihmën e tyre në dialogun Prishtinë-Beograd

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton do të shkojë në Ballkan në mes të tetorit, me ndalesa në Sarajevë, Beograd, Prishtinë dhe Bruksel. Zonja Klinton u takua sot me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Ashton, për të diskutuar një sërë çështjesh, përfshi edhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së për të ndihmuar në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Sekretarja Klinton tha se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe e konsiderojnë atë si gurthemel të paqes globale. Zonja Klinton theksoi se të dy palët mbeten të përkushtuara ndaj integrimit euro-atlantik të Ballkanit dhe janë të gatshme të ndihmojnë në dialogun Prishtinë-Beograd.

“Shtetet e Bashkuara i mirëpresin përpjekjet e BE-së për të ndihmuar Serbinë dhe Kosovën të zgjidhin çështjet e tyre praktike. Unë do të udhëtoj në rajon pas 10 ditësh, dhe ne kemi diskutuar se si mund t’i zgjerojmë marrëdhëniet jo vetëm në nivelet e larta por edhe në terren.”

Shefja e politikës së jashtme në BE, Kethrin Ashton tha se Ballkani ka disa çështje që kërkojnë vëmendje.

“Duam të shohim përparim në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Rëndësia e ndryshimit të rezolutës nga presidenti Tadiç dhe mbështetja për këtë rezolutë nga kryeministri Thaçi është vlerësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.”

Zonja Ashton tha se është shumë e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina të ecin përpara.

“Ne të gjithë duhet të angazhohemi në këtë proces, dhe të kemi një dialog konstuktiv për të gjetur rrugën në të cilën do të ecim përpara. Dhe për mua, kjo rrugë, për të dy palët është e ardhmja evropiane.”

Sekretarja Klinton tha se SHBA dhe BE janë të përkushtuara për të dhënë ndihmën e tyre në dialogun Prishtinë-Beograd.

“Ka çështje të vështira për t’u zgjidhur. Por Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë të gatshme të ndihmojnë dhe të ndërmjetësojnë bisedimet për t’u gjetur zgjidhje këtyre çështjeve.”

Sekretarja Klinton tha se është e rëndësishme që të dy palët të kenë në mendje të ardhmen evropiane si objektivin kryesor. Palët duhet të shmangim mosmarrëveshjet, tha zonja Klinton dhe të përqendrohen tek e ardhmja. U takon udhëheqësve dhe popujve të vendosin të ecin përpara. Sekretarja Klinton do të udhëtojë në rajon pas 10 ditësh.

XS
SM
MD
LG