Lidhje

Klinton: SHBA mbështesin masat ekonomike të kryeministrit Papandreu

  • David Gollust

Klinton: SHBA mbështesin masat ekonomike të kryeministrit Papandreu

Klinton: SHBA mbështesin masat ekonomike të kryeministrit Papandreu

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton thotë se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht planin e rimëkëmbjes ekonomike të kryeministrit grek Jorgo Papandreu. Zonja Klinton zhvilloi bisedime me zyrtarë të lartë në Athinë para takimit të rëndësishëm europian që do të mbahet të enjten për një paketë të dytë ndihmash financiare për Greqinë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dejvid Gollast njofton nga kryeqyteti grek.

Shtetet e Bashkuara nuk do të luajnë rol në vendimin për paketën e ndihmave financiare, që do të merret nga 17 vendet kryesore të Eurozonës në Bashkimin Europian.

Megjithatë, zonja Klinton dha një mesazh të fuqishëm përkrahjeje politike, duke thënë se ishte e kënaqur që ndodhej në Athinë në një periudhë sfidash, siç tha ajo, për të treguar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për aleatin e tyre të NATO-s, Greqinë.

Sekretarja e Shtetit tha se masat e reja të qeverisë së zotit Papandreu dhe rritja e taksave janë një terapi e vështirë për qytetarët grekë, por tha se Shtetet e Bashkuara kanë besim se rimëkëmbja ekonomike do të ndodhë.

“Unë kam besim tek vendosmëria e popullit grek. Dhe përshëndes qeverinë greke për hapat e vështirë që ka ndërmarrë. Greqia ka qenë frymëzuese e botës edhe më parë dhe kam besim se ajo do të jetë përsëri. Dhe ndërsa merrni masat për ta rimëkëmbur ekonominë, ju do të keni mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara.”

Zonja Klinton foli gjatë një konference për shtyp me Ministrin e Jashtëm grek Stavros Lambrinidis, i emëruar kohët e fundit, pas ndryshimeve në kabinetin grek.

Përmes një përkthyesi, ai tha se megjithëse shumë njerëz në dy anët e Atlantikut kanë menduar se Greqia do të falimentojë, qeveria e zotit Papandreu do të tregojë se ata e kanë pasur gabim.

"Pavarësisht nga parashikimet negative, ne vazhdojmë punën dhe do të dalim fitimtarë. Sigurisht që nuk kemi zgjidhje magjike. Por nuk ka dyshim se sakrificat e popullit grek jo vetëm që do të dalin nga problemet e shkuara, por edhe do të krijojnë një bazë të fortë për rimëkëmbje.”

Ministri i Jashtëm grek tha se vendi i tij ka nevojë jo vetëm për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, por edhe për solidaritetin europian, një mesazh i humbur mes disa vendeve anëtare të BE-së, gjatë muajve të fundit.
Një zyrtar i lartë amerikan tha se megjithëse nuk donte ta ulte rëndësinë e problemeve të Greqisë, vendi përbën vetëm tre për qind të ekonomisë së BE-së, dhe problemi grek nuk është i një madhësie që Bashkimi Europian të mos mund ta përballojë.

Bisedimet e zonjës Klinton u përqendruan edhe tek trazirat politike në Lindjen e Mesme, stabiliteti në Ballkan, marrëdhëniet greko-turke dhe Qiproja.
Zonja Klinton tha të shtunën se Shtetet e Bashkuara do të donin të shihnin arritjen e një marrëveshjeje për Qipron para se ishulli të marrë presidencën e BE-së për herë të parë vitin e ardhshëm.
Ministri i Jashtëm grek tha se mendon që përparimi është i mundur, por se kërkon vullnet politik nga ana e qeverisë turke.
Qiproja ka qenë e ndarë në vija etnike që nga viti 1974 kur trupat turke pushtuan një të tretën e ishullit në veri në përgjigje të grushtit të shtetit në Nikosia që synonte bashkimin me Greqinë.

Zyrtari i lartë amerikan tha se ai ndjehet i inkurajuar nga fakti se krerët qipriotë grekë dhe turq kanë zhvilluar më shumë se 80 takime të drejtpërdrejta gjatë dy viteve të fundit. Ai tha se ata janë pranë arritjes së një marrëveshjeje, por se deri sa kjo të arrihet, vetëm përpjekjet nuk janë të mjaftueshme.

XS
SM
MD
LG