Lidhje

Klinton: SHBA të palëkundura në angazhimin ndaj Gjeorgjisë

  • Zëri Amerikës

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në angazhimin e tyre ndaj Gjeorgjisë në mosmarrëveshjet me Rusinë lidhur dy rajonet e saj separatiste. Zonja Klinton i bëri komentet sot në kryeqytetin e Gjeorgjisë Tbilisi.

Gjeorgjia është ndalesa e fundit e Sekretares së Shtetit Clinton në këtë turne që filloi të enjten në Ukrainë dhe përfshinte Poloninë, Azerbajxhanin dhe Armeninë. Në komentet e bëra në praninë e presidentit gjeorgjian Mikhail Saakashvili, sekretarja e Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara nuk e pranojnë pretendimin e Moskës se Rusia ka interesa të veçanta në rajonet e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut ku shumica e popullatës flet rusisht.

Rusia njohu pavarësinë e dy territoreve të Gjeorgjisë pas luftës së shkurtër të vitit 2008, megjithatë Abkhazia dhe Osetia jugore ende njihen nga komuniteti ndërkombëtar si pjesë e Gjeorgjisë.

Klinton tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë kundër bazave të përhershme ushtarake ruse që po ndërtohen në territorin gjeorgjian.

Sekretarja e Shtetit tha se ajo dhe Presidenti Barak Obama e shprehën kundërshtimin e tyre ndaj pranisë ruse në rajon gjatë takimit me Presidentin Dmitri Medvedev kur ai vizitoi Uashingtonin në muajin qershor.

Komentet e zonjës Klinton i japin fund turneut të saj 5-ditësh në Evropën Qendrore dhe Kaukaz , vizitë që synonte t’u jepte siguri aleatëve të Uashingtonit lidhur me vazhdimin e përkrahjes amerikane ndaj tyre.

Sekretarja e Shtetit tha ndërkohë se mosmarrëveshjet me Rusinë lidhur me Gjeorgjinë nuk duhet ta pengojnë bashkëpunimin amerikano-rus në aspekte të tjera.

XS
SM
MD
LG