Lidhje

Klinton: Shqipëria, një mike dhe e aleate e SHBA në NATO


Klinton: Shqipëria, një mike dhe e aleate e SHBA në NATO
Klinton: Shqipëria, një mike dhe e aleate e SHBA në NATO

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria janë dy vende partnere, tha Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton në takimin me ministrin e jashtëm të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto. Shqipëria, tha zonja Klinton, është një mike dhe e aleate e Shteteve të Bashkuara në NATO. Menjëherë pas takimit, zoti Haxhinasto u intervistua në programin e Zërit të Amerikës, Ditari.

Zëri i Amerikës: Ju sapo jeni kthyer nga takimi me Sekretaren e Shtetit. Cili ishte synimi i këtij takimi?

Edmond Haxhinasto: Synimi i këtij takimi ishte riafirmimi i miqësisë së jashtëzakonshme që ekziston midis Shqipërisë dhe SHBA-së, gjithashtu ishte që të kalonim të gjithë çështjet e axhendës sonë bilaterale përsa i takon rritjes së volumit të shkëmbimeve, kryesisht atyre ekonomike, por sigurisht edhe një sërë çështjesh të tjera që kanë të bëjnë me energjinë, rajonin. Kemi folur, gjithashtu, për rolin në rritje të Shqipërisë në përballimin e sfidave si anëtare e NATO-s, kryesisht, kemi folur për Afganistanin dhe kontributet që jep Shqipëria atje, kontributet e ardhshme të saj kryesisht në fushën e trajnimit të forcave afgane për marrjen përsipër të çështjeve të sigurisë atje; kemi folur gjithashtu për rajonin ku është vlerësuar shumë kontributi i Shqipërisë, politika e saj konstruktive në rajonin tonë, për të krijuar një integrim më të madh midis vendeve të rajonit dhe, gjithashtu, është vlerësuar në mënyrë të jashtëzakonshme edhe kontributi që ka dhënë Shqipëria për Kosovën dhe konteksti dhe klima që ajo ka krijuar me marrëdhëniet me Serbinë.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët se në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet dypalëshe në sektorin ekonomik, çfarë më konkretisht pritet në këtë drejtim?

Edmond Haxhinasto: Kemi rënë dakord me Sekretaren Klinton që të intensifikojmë platforma që ky bashkëpunim të realizohet konkretisht. Një prej këtyre ideve ishte që të organizohet vitin e ardhshëm një konferencë për prezantimin e të gjithë mundësive që krijon Shqipëria dhe rajoni përsa i takon zhvillimit ekonomik dhe investimeve të huaja. Për Shqipërinë konkretisht kemi folur për mundësinë e investimeve në energjetikë, në infrastrukturë dhe në turizëm. Sigurisht kemi folur edhe për ato çështje që kanë të bëjnë me gjithë zhvillimin e rajonit që janë një lidhje më e madhe infrastrukturore midis gjithë vendeve të rajonit, por edhe për heqjen e të gjithë atyre që tashme quhen barriera jo fizike, pra që kanë të bëjnë me krijimin e një zone të lirë në të gjithë rajonin e Ballkanit .

Zëri i Amerikës: Ju thatë se në takim është prekur dhe çështja e Kosovës, e cila ndodhet përpara zgjedhjeve ditën e dielë dhe po ashtu përpara fillimit të dialogut me Beogradin. Në këtë kuadër çfarë roli mund të luajë Shqipëria në këto zhvillime në Kosovë, si e shikoni ju rolin e Shqipërisë ?

Edmond Haxhinasto: Sigurisht që Shqipëria nuk është pjesë e këtyre zhvillimeve, ne i ndjekim me vëmendje shumë të madhe dhe mbështesim forcimin e institucioneve atje, mbështesim proceset normale zgjedhore dhe demokratike atje dhe, sigurisht, mbështesim dhe Kosovën në të gjithë ato sfida që ka konkretisht përsa i takon procesit të negociatave me Serbinë për çështje konkrete për çështje specifike. Me sekretaren Klinton kemi folur edhe për këtë gjë, kemi folur për rëndësinë e angazhimit amerikan në këtë proces, gjithashtu kemi folur edhe për përpjekjet e përbashkëta për krijimin e një dinamike të re në njohjet e reja për Kosovën si një kontribut i drejtpërdrejtë për forcimin e paqes dhe të stabilitetit në Ballkan.

Zëri i Amerikës: Dua të ndalem në një koment që bëri dje një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit, Tom Kantrimen, gjatë një senace që u bë në Kongresin amerikan lidhur me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, duke folur për Shqipërinë, Zoti Kantrimen pasi njohu përmirësimet e mëdha që ka bërë Shqipëria gjatë gjithë këtyre viteve, anëtarësimin në NATO dhe përparimin drejt integrimit në BE ai u shpreh, po citoj : megjithatë përparimi është penguar nga mosmarrëveshjet e tejzgjatura politike dhe nga korrupsioni, janë dy probleme që kanë dalë shpesh në pah në politiken shqiptare, si u përgjigjeni ju këtyre komenteve të zyrtarvve amerikanë?

Edmond Haxhinasto: Sigurisht zyrtarëve amerikanë ne u kemi paraqitur realitetin që ekziston në Shqipëri kemi paraqitur përpjekjet e mëdha që janë bërë për të luftuar korrupsionin konkretisht atë që është arritur rezultatet e prekshme, ne kemi paraqitur pra atë që Shqipëria është një ekonomi në rritje te vazhdueshme që performanca e saj është gjithmonë në përmirësim. Kemi paraqitur efektin e programeve të caktuara, ndërhyrjeve të caktuara që ka bërë qeveria, për shembull në drejtim të prokurimit elektronik që ka arritur efikasitetin në mënyrë të jashtëzakonshme për prokurimin e parave publike, është ulur kostoja e prokurimit gati 1/5 , pra gati 20 %, pikërisht këto metoda të reja që janë vendosur për të zvogëluar hapësirat për korrupsion dhe për të pasur një efikasitet më të madh në menaxhimin e vendit. Përsa i takon çështjes së dytë të dialogut politik, sigurisht, partneret amerikanë e shikojnë me realizëm situatën dhe ato sigurisht vlerësojnë atë që nga kjo situatë dilet me një angazhim të sinqertë, transparent të të gjitha forcave politike, dilet duke u angazhuar edhe opozita në një proces diskutimi normal politik parlamentar pasi kjo është mënyra e vetme për të miratuar ato ligje, për të realizuar ato reforma të cilat janë të domosdoshme për integrimin e vendit ne Bashkimin Evropian, por edhe për të qeverisur edhe për të realizuar detyrimet që gjithë forcat politike kanë ndaj qytetarëve shqiptarë.

Zëri i Amerikës: Qeveria amerikane është tronditur kohët e fundit nga dalja e dokumenteve dhe shkëmbimeve sekrete diplomatike përmes faqes së Wikileaks. Në shtypin shqiptar janë publikuar edhe komente që kanë të bëjnë me Shqipërinë. Si e vlerësoni ju publikimin e këtyre dokumenteve nga Wikileaks?

Edmond Haxhinasto: Mendoj se është një ngjarje e pakëndshme pasi mënyra se si është përftuar ky informacion ka qenë krejtësisht jo ligjore dhe aspak kontribuese për marrëdhëniet midis shteteve, apo asnjë kontribut pozitiv për sigurinë le të themi për rritjen e sigurisë, parametrave të sigurisë me asnjë nga vendet që përfshihen në këto dokumente. Mendoj se është një ngjarje e pakëndshme që duhet harruar shpejt por duhen nxjerrë edhe mësime prej saj përsa i takon rritjes së komunikimit dhe sigurisht është e nevojshme që të ndërmarrim hapa të rinj në këtë drejtim.

XS
SM
MD
LG