Lidhje

Klinton takohet me Aung San Su Çi në shtëpinë e saj në Rangun


Klinton takohet me Aung San Su Çi në shtëpinë e saj në Rangun
Klinton takohet me Aung San Su Çi në shtëpinë e saj në Rangun

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton u takua me udhëheqësen e lëvizjes për demokraci në Birmani, Aung San Su Çi në Rangun sot, ditën e fundit të vizitës së saj historike tri ditore në atë vend.

Ato zhvilluan diskutime të hollësishme në shtëpinë e laureates së Çmimit Nobel të Paqes, ku ajo ka qënë nën arrest shtëpie për pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit. Ato u takuan për herë të parë dje në një darkë private, ku kryediplomatja amerikane i dorëzoi aktivistes birmaneze një letër personale nga Presidenti Barak Obama.

Sekretarja Klinton tha dje gjatë vizitës në kryeqytetin e Birmanisë, Neipidau se çdo hap i ndërmarrë nga qeveria e Birmanisë për reforma politike do të shqyrtohet me kujdes.

Ajo i bëri thirrje qeverisë të përshpejtojë përpjekjet për pajtimin kombëtar duke liruar të gjithë të burgosurit politikë dhe të ndërpresë fushatat e dhunës kundër pakicave etnike. Sekretarja Klinton i bëri gjithashtu thirrje Birmanisë t’i japë fund lidhjeve ushtarake me Korenë e Veriut dhe të respektojë konsensusin ndërkombëtar kundër përhapjes së armëve bërthamore.

Ajo foli para gazetarëve pas një takimi historik me Presidentin e Birmanisë Thein Sein, i cili ka udhëhequr tentativat për kryerjen e reformave që kur mori pushtetin në muajin mars. Ish zyrtari ushtarak e vlerësoi takimin si fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Birmanisë.

XS
SM
MD
LG