Lidhje

Koalicioni qeveritar mund ta zgjedhë vetë presidentin e ri


Koalicioni qeveritar mund ta zgjedhë vetë presidentin e ri

Koalicioni qeveritar mund ta zgjedhë vetë presidentin e ri

Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbrëmje se shumica e koalicionit qeveritar PD-LSI është e gatshme që të propozojë një kandidat të sajin për postin e presidentit, sepse:

Shqipëria nuk ka nevojë të mbërthehet në një fushatë të pandërprerë zgjedhore për këtë temë”.

Kryeministri Berisha tha në një konferencë shtypi se:

“..shumica është e vendosur të zgjedhë një personalitet të spikatur politik në postin e presidentit, por nuk është etike që të publikojë qysh tani emrin, apo emrat kandidatë, për respekt të autoritetit shtetëror që është ende në detyrë”.

Ai shtoi se nuk e shqetësojnë kalkulimet që bëjnë kundërshtarët politikë me votat në sallën e parlamentit, sepse procedura do të jetë tërësisht në respektim të Kushtetutës.

Zoti Berisha akuzoi Partinë Socialiste se nuk po mbështet reformat e kërkuara nga BE për të marrë statusin e vendit kandidat, komente këto që opozita i ka hedhur poshtë si të pavërteta. Ai tha se opozita socialiste e bllokoi edhe reformën zgjedhore, që deri dje po shkonte mirë, me parakushte të parealizueshme. Kryeministri Berisha tha se ata i vendosin interesat e ngushta partiake mbi ato kombëtare, dhe se nuk është hera e parë që socialistët vështirësojnë marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në, vetëm që përparimi në këtë drejtim të mos shihet si një arritje e qeverisë.

Nga ana tjetër, situata e vështirë e motit me borë dhe bllokime të mijëra banortëve i ka kushtuar deri tani qeverisë mbi 12 milionë dollarë amerikanë, ndërsa ndihmat vazhdojnë. Zoti Berisha tha se ende ka zona në Shqipëri ku trashësia e dëborës është mbi 3 metra, megjithatë po bëhen përpjekje nga ajri dhe toka që të ndihmohen banorët me ushqime, ilace dhe veshje.

Përveç vështirësive të stinës, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha deklaroi se ekonomia shqiptare po reagon me vitalitet dhe qeveria do të kryejë investimet publike dhe rritjet e parashikuara të pagave dhe pensioneve. Projekti më i madh në infrastrukturë mbetet ndërtimi i autostradës Tiranë - Elbasan me tunel në Qafë Kërrabë, krahas autostradës së jugut. Kryeministri Berisha deklaroi se ambicja më e madde e qeverisë së tij është gazifikimi i shqipërisë, ndërtimi i një rrjeti për shpërndarjen e gazit në të gjithë vendin, që do të ulë koston e jetesës së banorëve dhe bizneseve që deri tani përdorin energjinë elektrike, naftën apo benzinën. Këto projekte të reja kanë marrë shtytje të re pas marëveshjeve për të ndërtuar në territorin e Shqipërisë një gazsjellës që do të transportojë gazin e Azerbajxhanit drejt Italisë dhe Ballkanit verior.

XS
SM
MD
LG