Lidhje

Vazhdojnë luftimet për mbrojtjen e Kobanit


Forcat kurde hynë në muajin e dytë të mbrojtjes së qytetit sirian Kobani nga militantët e Shtetit Islamik, në bashkëpunim përherë e më të ngushtë me koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, për sprapsjen e grupit ultra-radikal.

Një korrespondent i Zërit të Amerikës në anën turke të kufirit njoftoi se pas sulmeve të ISIS-it ndaj pozicioneve kurde dhe një raundi tjetër sulmesh ajrore nën drejtimin amerikan gjatë natës, gjendja u qetësua me fillimin e lutjeve të së premtes.

Grupi Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriuit me bazë në Britani, njoftoi se 660 luftëtarë janë vrarë në luftime, që nga fillimi i ofensivës së ISIS-it përgjatë kufirit me Turqinë më 16 shtator. Grupi tha se numri i të vdekurve mund të jetë sa dyfishi i kësaj shifre, për shkak, siç u shpreh ai, të “sekretit të madh” që e mbajnë të dyja palët për numrin e viktimave.

Këtë javë sulmet ajrore amerikane ndaj Shtetit Islamik janë shtuar në Kobani, ndërsa Shtetet e Bashkuara thanë se kishin zhvilluar bisedimet e para të drejtpërdrejta me një parti politike të kurdëve të Sirisë, me lidhje me guerrilasit kurdë, të cilët Shtetet e Bashkuara dhe Turqia i kanë cilësuar terroristë.

XS
SM
MD
LG