Lidhje

Luftëtarët kurdë frenojnë përparimin e Shtetit Islamik


Luftëtarët kurdë po frenojnë përparimin e ekstremistëve të grupit Shteti Islamik në Kobani të Sirisë, por luftimet e ashpra po vazhdojnë për kontrollin e qytetit pranë kufirit me Turqinë.

Komanda ushtarake amerikane tha se avionët e saj luftarakë, së bashku me ato të Arabisë Saundite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe kryen tre goditje ajrore dje dhe sot në Kobani, duke shkatërruar një nga pozicionet luftarake të kryengritësve dhe një zonë nga ku ndërmerreshin sulme.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Britani, tha se xhihadistët kishin pësuar viktime të shumta në luftime.

Sekretari i Përgjitshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon tha se “mijëra jetë janë në rrezik” në luftimet për kontrollin e Kobanit. Ai u bëri thirrje palëve luftuese “të parandalojnë një masakër dhe të mbrojnë civilët”.

Shtëllunga tymi të dendur u panë sot të ngriheshin mbi qytet, ndërsa luftëtarët kurdë luftonin për të mbrojtur qytetin nga masakra e vazhdueshme e ekstremistëve të grupit Shteti Islamik.

Ndërkohë trupat turke vazhduan të qëndrojnë të paangazhuara në anën tjetër të kufirit, megjithë trysninë në rritje ndërkombëtare mbi presidentin turk Recep Tayyip Erdogan për të ndërhyrë.

Qeveria turke ka refuzuar deri tani të bashkohet në betejë duke cituar lidhjet mes mbrojtësve kurdë të Kobanit dhe partisë së jashtëligjshme Punëtorët e Kurdistanit. PKK ka ndërmarë një rebelim prej dekadash për vet-administrim të juglindjes së Turqisë dhe është emërtuar një organizatë terroriste nga Ankaraja dhe Uashingtoni.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG