Lidhje

Kofi Annan, thirrje Këshillit të Sigurimit për presion mbi Sirinë

  • Zëri Amerikës

I dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe Lidhjes Arabe Kofi Annan u bëri sot thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që të dalin nga situata bllokuese dhe t’i bëjnë presion Sirisë për shtypjen gjakderdhëse të kundërshtarëve.

Duke folur sot nga Gjeneva, zoti Annan tha se do të dërgojë një ekip në Damask javën e ardhshme për të diskutuar mbi një plan për të dërguar vëzhgues ndërkombëtarë. Ai i bëri komentet sot përmes lidhjes me video me Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më pak se një javë pasi u takua me presidentin sirian Bashar al-Assad.

Diplomatët perëndimorë shpresojnë që një gjë e tillë të përshpejtojë përpjekjet për miratimin e një rezolute që do të dënonte shtypjen e përgjakshme të kundërshtarëve nga ana e Presidentit sirian Bashar al-Assad.

Ministria e Jashtme ruse thotë se po e inkurajon qeverinë siriane që të bashkëpunojë plotësisht me të dërguarin e OKB-së dhe Lidhjes Arabe Kofi Annan, i cili po përpiqet të gjejë një zgjidhje për gjakderdhjen që vazhdon prej një viti në vend.

Ministri i jashtëm Sergei Lavrov tha sot se ai pret gjithashtu që qeveritë perëndimore t’i kërkojnë opozitës siriane të bashkëpunojë me përpjekjet ndërmjetësuese të ish shefit të OKB-së.

Rusia dhe Kina kanë vënë dy herë veton ndaj rezolutave që dënojnë Sirinë.

Media shtetërore siriane nxorri sot një deklaratë para raportimit të zotit Annan, ku thuhej se qeveria është zotuar për bashkëpunim me të dërguarin për gjetjen e një zgjidhjeje politike të krizës. Në deklaratë, ministria e jashtme fajësoi përsëri terroristët dhe ndërhyrjen e huaj për pjesën më të madhe të dhunës.

XS
SM
MD
LG