Lidhje

Ndarja e zonave zgjedhore, polemika


Socialistët e konsiderojnë një precedent të rrezikshëm: "Kolegji i kontrolluar nga ekzekutivi”. KQZ: “Kolegji na dha të drejtë”

Në Shqipëri vazhduan edhe sot polemikat mbi vendimin e djeshëm të kolegjit zgjedhor mbi ndarjen e zonave zgjedhore. Socialistët deklaruan se kolegji sipas tyre u vu në shërbim të interesit të një partie duke kompromentuar veten që në vendimin e parë. Nga ana tjetër Komisioni qëndror i zgjedhjeve u shpreh i kënaqur me vendimin duke deklaruar se është plotësisht i angazhuar për të plotësuar të gjithë detyrimet për një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor



Socialistët paralajmëruan që dje jo vetëm pakënaqësinë por edhe dyshimet e tyre ndaj Kolegjit zgjedhor i cili në mungesë të një konsensusi brenda Komisionit qëndor të zgjedhjeve për ndarjen e zonave zgjedhore, vendosi të përcaktonte vetë numrin e tyre. Sot sekretari socialist për cështjet zgjedhore Damian Gjiknuri u shpreh se ai vendim sipas tij, ishte në kundërshtim me ligjin dhe parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve: “Kolegji Zgjedhor nga arbitër u kthye edhe rregullshkrues, për interes të një partie politike duke e komprometuar veten që në vendimmarrjen e parë për zgjedhjet. Njëanshmëria e vendimmarrjes në favor vetëm të interesave politike të PD, nuk krijon besim dhe klimë për zgjedhje të ndershme dhe të gjithëpranuara”.

Sipas zotit Gjiknuri ndarja e zonave është një kompetencë e Komisionit qëndror të zgjedhjeve, duke shtuar se opozita nuk është e shqetësuar për numrin, por për faktin se sipas saj vendimi përbën një precedent të rrezikshëm në besimin e palëve tek arbitri dhe regullat që janë shkruar bashkarisht: “Me vendimin e djeshëm, po tentohet të hidhen në erë të gjitha ato garanci ligjore për vendime kolegjiale që lidhen me përgatitjen e zgjedhjeve, të cilat duhet të gëzojnë besimin e aktorëve politik dhe që shkruhen në KQZ. Kolegji Zgjedhor po vë në rrezik të gjitha standardet ligjore që ka arritur politika me konsensus në lidhje me vendimmarrjet e rëndësishme, duke u kthyer në një komision zgjedhjesh, i kontrolluar nga ekzekutivi”.

Nga ana e tyre demokratët thanë dje se vendimi i Kolegjit ishte një leksion për të gjithë ata që synojnë të bllokojnë procesin zgjedhor, ndërsa Komisioni qëndror u shpreh sot i kënaqur me përcaktimin e ndarjes së zonave zgjedhore: “Pas shqyrtimit nga Kolegji Zgjedhor ditën e djeshme, ky I fundit i dha të drejtë projektit prej 89 Zonave të Administrimit Zgjedhor të paraqitur nga Administrata e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve” deklaroi zëdhënesja Drinlona Hoxhaj.

Komisioni u shpreh se ka ndërmarrë një sërë aktesh në funksion të përgatitjes së procesit zgjedhor dhe se është i angazhuar për të plotësuar të gjithë detyrimet që i takojnë: “Viti që sapo kemi nisur që është edhe viti zgjedhor e gjen Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve tërësisht të angazhuar dhe është duke punuar intensivisht për miratimin e projekt vendimeve të rëndësishme sipas planit të orientues të miratuar nga ky komision për të siguruar zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe transparente brenda afateve ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor”.

Ndonëse zgjedhjet do të zhvillohen në qershor, klima e një fushate elektorale po ndihet prej kohësh në Shqipëri, duka paralajmëruar një atmosferë të ndezur politike.
XS
SM
MD
LG